Të mbijetuarit e luftimeve në rajonin e rebeluar etiopian të Tigrejt kanë dëshmuar se si kanë ecur nëpër trupat e pajetë derisa po iknin prej luftimeve në fshatin Rajan.
Rajoni po përballet me luftime ndërmjet kryengritësve të TPLF-së dhe forcave të rregullta të Qeverisë së Etiopisë.
Refugjatët kanë treguar se si kishin kaluar kufirin me Sudanin. Shumica e tyre janë vendosur me familje në një kamp në shtetin fqinj. Kjo është hera e dytë që të moshuarit qëndrojnë në kampin e Rakubas në Sudan. Herën e parë ishin vendosur më 1985, kur Etiopia po përballej me zinë e bukës.
Tani, civilët janë zhvendosur për shkak të trazirave të fundit politike që u përshkallëzuan në dhunë ndërmjet rajonit verior dhe Qeverisë qendrore.
Pos traumave të luftës, ata po përballen me krizën e ushqimit dhe ujit. Duhet të presin në radhë për të marrë ushqim. Të mbijetuarit thonë se ndihen të tradhtuar nga bashkësia ndërkombëtare pasi askush nuk u ngrit për t’iu dalë në mbrojtje qytetarëve të pafajshëm. Kombet e Bashkuara druajnë se në Etiopi janë kryer edhe krime lufte.