Lideri suprem i Iranit ka premtuar “ndëshkim përfundimtar” për të gjithë ata që qëndrojnë prapa vrasjes së shkencëtarit bërthamor në Teheran.
Mohsen Fahrizade, arkitekti i strategjisë bërthamore të Teheranit, u vra të premten në afërsi të kryeqytetit, në ngjarjen që i përshkallëzoi tensionet në Lindjen e Mesme. Irani ka drejtuar gishtin e fajësisë kah Izraeli, duke lënë të kuptohet se vrasja mund ta ketë pasur edhe bekimin e presidentit amerikan në largim, Donald Trump.
Iranianët vërshuan të shtunën rrugët e Teheranit në shenjë proteste ndaj vrasjes, duke djegur me këtë rast flamuj amerikanë dhe fotografitë e Trumpit. Ndërkaq presidenti Hasan Ruhani përsëriti se vrasja nuk do ta ndalë programin bërthamor të Iranit, transmeton KOHA.
Më vonë, autoritetet iraniane i adresuan një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, në të cilën cekën se ekzistojnë “indikacione serioze rreth përgjegjësisë së Izraelit”.
Ata shkruan po ashtu se Irani e rezervon të drejtën për vetëmbrojtje. Izraeli është akuzuar se po i shfrytëzon javët e fundit të Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë për ta provokuar Iranin, me shpresën për ta bllokuar çdo gjasë për pajtim midis Teheranit dhe administratës së ardhshme të presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden.