Paqartësi politike në Britani për mazhorancën qeverisëse

Paqartësi politike në Britani për mazhorancën qeverisëse

11 June 2017 17:40

Kryeministrja britanike Theresa May po vazhdon bisedimet për të krijuar një mazhorancë qeverisëse pasi konservatorët nuk arritën të sigurojnë minimumin e vendeve të duhura në parlament në zgjedhjet e parakohshme. Ndërkohë vendit i mbeten edhe pak ditë për të filluar bisedimet me Bashkimin Evropian për largimin nga unioni, dhe opozita laburiste mendon se konservatorët nuk kanë më një mandat të qartë për një qeverisje afatgjatë.

Kryeministrja Theresa May po vazhdon përpjekjet për të arritur një marrëveshje me Partinë Demokrate Unioniste të Irlandës së Veriut (DUP), e cila ka 10 deputetë në parlamentin e sapozgjedhur. Gjatë zgjedhjeve të parakohshme, konservatorët në pushtet nuk arritën të sigurojnë minimumin prej 326 të zgjedhurve në parlament për të formuar një mazhorancë qeverisëse. Zyra e Kryeministres May informoi sot se bisedimet po zhvillohen për arritjen e një marrëveshjeje paraprake, që do të ofronte dakortësi për çështje si miratimin e buxhetit dhe mbështetje gjatë mocioneve të mosbesimit, por ende jo për një koalicion të plotë qeverisës.

Krerët opozitarë deklarojnë tashmë se gjendja është kaotike dhe se në planin afatgjatë konservatorët nuk do të munden të qeverisin më. Udhëheqësi laburist Jeremy Corbyn deklaroi madje se ai parashikon zgjedhje të reja brenda këtij viti, ose vitit të ardhshëm. Ai iu shmang një pyetjeje nga gazetarët nëse Kryeministrja May duhet të largohet.

“E kemi bërë shumë të qartë se kjo qeveri nuk mori një mandat të cilin e kërkoi vetë. Ka nxjerrë kështu një mësim”, tha zoti Corbyn.

Megjithatë zoti Corbyn ka njoftuar se Partia Laburiste do të paraqesë alternativën e saj legjislative në parlament.

Brenda 10 ditësh, Britania duhet të fillojë bisedimet me Bashkimin Evropian, për procesin e largimit nga unioni.

Marrëveshja për qeverisjen e re të Britanisë duhet të arrihet deri më 19 qershor, kur Mbretëresha Elizabeth do të mbajë fjalimin e saj gjatë të cilit do të shtjellojë programin e ri qeverisës. Platforma që do të paraqitet, do të pasohet nga disa ditë debatesh përpara se të hidhet për votim. Një refuzim i mundshëm do të sillte me siguri rrëzimin e qeverisë konservatore.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme