Botë

Sarkozy, të hënën në gjyq për korrupsion

Foto: Reuters

Gjykimi kundër ish-presidentit francez, Nicolas Sarkozy, do të fillojë zyrtarisht të hënën e ardhshme, pasi një gjykatë në Paris e rrëzoi apelin e njërit prej të bashkëakuzuarve.

Pas ekzaminimit nga një ekspert juridik, gjykatësit e cilësuan gjyqtarin Gilbert Azibert si të aftë për t’u paraqitur fizikisht në gjykatore, për nisjen zyrtare të procesit. Sarkozy dhe Azibert përballen me akuzat për korrupsion dhe ushtrim ndikimi në kuadër të skandalit të përgjimit të telefonatave.

65-vjeçari Sarkozy akuzohet për përpjekjen e sigurimit të paligjshëm të informatave nga një gjyqtar rreth hetimeve kundër tij, të iniciuara më 2014. Që të dy të akuzuarit do të dalin para gjykatës së Parisit, bashkë me ish-avokatin e presidentit, Tierry Herzog.

Ata ballafaqohen me dënimin prej 10 vjetësh burgim dhe gjobën maksimale prej 1 milion eurosh, po qe se shpallen fajtor. Sarkozy dhe Herzog kanë hedhur poshtë akuzat se i kanë premtuar Azibertit një vend pune në Monako, në këmbim të rrjedhjes së informatave rreth hetimit për financimet e paligjshme të fushatës zgjedhore të ish-presidentit, nga gruaja më e pasur e Francës, Lilane Bettencourt, pronare e “L’Oreal”-it.