Në Turqi ka rinisur gjykimi i personave që akuzohen për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në Stamboll më 2018.
Në këtë proces, 20 zyrtarë sauditë po gjykohen në mungesë.
Khashoggi, kritiku i njohur i princit saudit, Mohammed bin Salman, është vrarë nga një ekip i agjentëve sauditë brenda konsullatës së Mbretërisë Saudite në Turqi.
Turqia ka thënë se ai është vrarë dhe më vonë është copëtuar.
Në mesin e të pandehurve janë dy ish-ndihmës të princit, të cilët e mohojnë përfshirjen në këtë rast.
Edhe
Gjykata franceze hap hetime për vrasjen e Khashoggit
Një mik i ngushtë i Khashoggit, disidenti politik nga Egjipti, Ayman Noor, u ka thënë gazetarëve se ai është ndjerë i kërcënuar nga njerëzit e afërt me princin saudit të kurorës.
Ai ka deklaruar se Khashoggi i ka thënë se është kërcënuar personalisht nga Saud al-Qahtani. këshilltari për media i princit saudit.
"Noor ka thënë se Khashoggi ka raportuar se është kërcënuar nga Saud al-Qahtani nga viti 2016”, ka thënë Rebecca Vincent nga Reporterët pa Kufij, teksa ka raportuar nga dhoma e gjyqit.
“Khashoggi ka folur për një bisedë telefonike me Qahtanin kur ai ka qenë duke jetuar në Uashington. Nour ka thënë se Khashoggi ka qarë, gjë e cila ka qenë e pazakonshme dhe se ka qenë i frikësuar”, ka shtuar ajo.
Arabia Saudite, e cila ka refuzuar kërkesat e Turqisë për ekstradim, ka dënuar tetë persona lidhur me këtë vrasje, një vit më parë.
Edhe
Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë
Pesë persona janë dënuar me vdekje për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në vrasje, derisa të tjerët janë dënuar me burgim.
Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara, Agnès Callamard, ka thënë se gjykimi saudit ka qenë “antitezë e drejtësisë”, dhe se sipas saj, Khashoggi ka qenë “viktimë e një ekzekutimi të paramenduar”, për të cilin është përgjegjës shteti saudit. \ Rel