Botë

Avokatët e gënjeshtrave të Trumpit

Për më shumë se 90 minuta, të pavërtetat dhe teoritë konspirative kanë fluturuar në ajër gjatë konferencës për media të avokatit personal të Trumpit dhe ekipit ligjor.

Përkrah avokatit Rudy Giuliani ishte edhe avokatja e zgjedhjeve, Sidney Powell, që ka përhapur edhe më shumë të pavërteta në lidhje me zgjedhjet amerikane të tre nëntorit.

Në asnjë moment, ekipi ligjor i Trupit nuk ofroi prova për akuzat se në zgjedhjet amerikane pati keqpërdorim të votave, raporton KOHA.

Shumë prej qëndrimeve të ekipit janë refuzuar nga ekspertët e sigurisë së zgjedhjeve.

Në konferencë, Giuliani që u bë horë nga rrjedhja e bojës së flokëve, tha një të pavërtetë se votimet me postë ka shumë gjasa që të manipulohen.

E vërteta është se ekspertët e zgjedhjeve me qindra herë kanë përsëritur se votimet me postë janë mënyrë e sigurt votimi dhe nuk ka mundësi që të keqpërdoren.

Avokatja Sidney Powell ka përmendur një qëndrim ekstrem se Venezuela komuniste dhe filantropi, George Soros, kanë ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.

Ajo ka thënë se në zgjedhjet amerikane është përdorur një aparat votimi nga kompania teknologjike “Dominion Voting Systems”. Ky aparat, sipas Powell, ishte porositur nga ish-presidenti venezuelas, Hugo Chavez, që me të kishte ndërruar rezultatin e zgjedhjeve.

Powell ka thënë se kompania kishte lidhje edhe me Sorosin.

Krejt këto janë të pavërteta. Kompania “Dominion” nuk ka asnjë lidhje me Venezuelën dhe filantropin Soros.

Avokatja e zgjedhjeve për presidentin Trump ka shkuar edhe më larg.

Ka thënë se aparati kishte një algoritëm që të merrte një përqindje të madhe të votave të presidentit Donald Trump dhe t’i kthente ato në favor të presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Kjo nuk është e vërtetë dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë provë se ka ndodhur një manipulim i tillë i votave. Zyrtarët federalë kanë thënë se shumica e shteteve amerikane kanë përdorur letrën që mund kontrollohet për totalin e votave.