Botë

Vazhdojnë thirrjet ndaj Trumpit që ta pranojë humbjen në zgjedhjet në SHBA

Një aleat i famshëm i Donald Trumpit i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të heqë dorë nga përpjekjet për të përmbysur humbjen nga Joe Bideni në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së.

Ish-guvernatori i New Jerseyt, Chris Christie, e ka quajtur ekipin ligjor të Trumpit një “turp nacional”.

Presidenti Trump ka refuzuar ta pranojë humbjen në zgjedhje, duke bërë pretendime të pabazuara për mashtrime në zgjedhje.

Shumë republikanë kanë përkrahur angazhimin e tij ligjor, por një numër i vogël, mirëpo që po vazhdon të rritet, i kanë bërë thirrje ta pranojë humbjen.

Të shtunën Trump mori një goditje të madhe në Pennsylvania, kur një gjykatës federal ka hedhur poshtë padinë e ekipit të Trumpit që mundohej të bënte jovalide miliona vota me postë.

“Sjellja e ekipit ligjor të presidentit ka qenë një turp nacional. Ekipi i Trumpit shpesh flet për mashtrim në zgjedhje jashtë sallës së gjyqit, por kur futet në sallë të gjyqit nuk flet për mashtrim. Kam qenë përkrahës i presidentit. E kam votuar atë dy herë. Por, zgjedhjet kanë pasoja, dhe nuk mund të sillemi sikur ka ndodhur diçka këtu që nuk ka ndodhur”, ka thënë Christie.

Joe Biden është projektuar fitues i zgjedhjeve në SHBA. Sipas projeksioneve ai i ka fituar 306 vota elektorale, karshi 232 sa i ka fituar Trumpi.