Botë

Kryeministri armen merr përsipër disfatën në Nagorno-Karabah

Descriptive Text

Jerevan, 18 nëntor (Al-Jazeera) – Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, e ka pranuar përgjegjësinë për humbjen e betejës për Nagorno-Karabahun, duke lansuar njëherësh një plan veprimi prej gjashtë muajsh për të siguruar stabilitet demokratik në vend, në kohën kur Qeveria e tij po përballet me presion të madh publik.

Pashinyan i ka hedhur poshtë thirrjet e kundërshtarëve dhe të protestuesve për të dhënë dorëheqje lidhur me atë që konsiderohet vendimi më katastrofal i Qeverisë së tij për të dorëzuar territorin separatist në Azerbajxhan pas gjashtë javësh luftime. Me marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Rusia e Vladimir Putinit, Armenia është pajtuar që të tërheqë trupat e veta nga Nagorno-Karabahu, që kontrollohet nga viti 1994 nga trupat armene dhe armenët etnikë. Enklava tashmë do të jetë nën kontroll të azerëve. Bakuja zyrtare kishte humbur gjatë betejave të kaluara me armenët për kontrollin e rajoneve të kontestuara prej prishjes së Bashkimit Sovjetik në vitet nëntëdhjetë.

Ministri i Jashtëm armen ka dhënë dorëheqje gjatë javës, dhe presidenti, një figurë pa peshë të madhe në Armeni, ka bërë thirrje që të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare pasi opozita dhe demonstruesit kanë kërkuar largimin e kryeministrit për shkak të asaj që e quajnë tradhti kombëtare me dorëzimin e territorit.

Por Pashinyan ka shkruar të mërkurën në profilin e tij në “Facebook”, se merr përgjegjësinë e plotë për krejt zhvillimet e lidhura me Nagorno-Karabahun. Megjithatë, ka ngulmuar se është po ashtu përgjegjësi e tij që Armenisë t’ia kthejë stabilitetin dhe të sigurohet për sigurinë kombëtare.

Ai ka lansuar një plan prej pesëmbëdhjetë pikash, me të cilin synon ta kthejë stabilitetin politik në vend. Ai ka thënë se do të mundohet t’i vazhdojë negociatat për një zgjidhje përfundimtare për rajonin kaukazian, ku tashmë ka nisur vendosja e dy mijë trupave ruse që do të kujdesen për sigurinë.