Botë

Aleatët rreken ta bindin Bidenin për sfidat e veta

Epokës së Donald Trumpit mbase po i vjen fundi. Por ministrat e Bashkimit Evropian po takohen gjatë javës për të diskutuar për të ardhmen e mbrojtjes së kontinentit pas leksionit të nxjerrë: Evropa duhet të jetë mjaftueshëm e fortë për të luftuar për veten.

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të takohen nëpërmjet një telekonference të enjten dhe të premten, për të analizuar të dhënat e raportit të parë vjetor të kapaciteteve të përbashkëta të mbrojtjes, që pritet të shërbejë si bazë për një përpjekje të prirë nga francezët pas daljes së Britanisë dhe humbjes së Trumpit për ta kthyer BE-në në një fuqi ushtarake, të zonja për t’u mbajtur vetë.

Bideni s’e ndryshon krejt qasjen amerikane

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, do të heqë dorë prej qasjes konfrontuese të Trumpit kundrejt aleatëve, por nuk do ta ndryshojë mesazhin amerikan ndaj Evropës, e cila duhet të kontribuojë më shumë për mbrojtjen e saj, thonë diplomatët evropianë.

“Nuk jemi në status-quon e vjetër, ku ne mund të pretendojmë se presidenca e Donald Trumpit asnjëherë nuk ka ekzistuar dhe se bota ishte e njëjtë sikur se para katër vjetësh”, ka deklaruar një diplomat francez.

Një zyrtar i lartë evropian ka thënë se fitorja e Bidenit ishte “thirrje për Evropën për të vazhduar ndërtimin e mbrojtjes së përbashkët të BE-së, që të jetë aleat i dobishëm dhe i fuqishëm, gjithashtu edhe për aleancën e NATO-s”.

BE-ja ka nisur që nga dhjetori i vitit 2017 punën për zhvillimin e një kapaciteti të fuqishëm ushtarak ndaras Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përpjekja është prirë kryesisht nga Franca, fuqia më e madhe ushtarake e Bashkimit Evropian pas Brexitit.

Gjatë anëtarësisë së Britanisë, Londra rezistonte kundrejt rolit më të madh ushtarak të BE-së, duke vënë theksin te NATO-ja si forumi kryesor për mbrojtjen evropiane. Dalja e Britanisë nga blloku evropian i ka dhënë mundësi Parisit për t’i çuar përpara ambiciet për rol më të madh ushtarak të BE-së, me përkrahje më të madhe, por të matur, nga Berlini.

Trumpi i mirë, Trumpi i keq

“Shtetet e Bashkuara do të na respektojnë si aleatë nëse jemi seriozë për pozicionin tonë, dhe nëse duam të kemi sovranitet tonin në lidhje me mbrojtjen tonë”, është shprehur presidenti francez, Emmanuel Macron, në një intervistë për një revistë franceze në fundjavë.

Trumpi ishte armik i hapur i NATO-s, duke i akuzuar troç shtetet evropiane për shpenzime tepër të ulëta në mbrojtje, dhe i përshkruante aleatët që shpenzonin më pak se 2 për qind të bruto prodhimit vendor në mbrojtje, si “delikuente”. Por edhe administratat e mëhershme kishin bërë thirrje për më shumë investime në mbrojtje nga shtetet aleate në Evropë.

Në një opinion të përbashkët për mediat evropiane dhe amerikane, ministrat e jashtëm të Gjermanisë dhe Francës, shprehën “zotimin për t’i baraspeshuar më shumë marrëdhëniet transatlantike”.

Raporti i përvitshëm vlerësues i BE-së për mbrojtjen pritet të identifikojë mungesën e teknologjisë së dronëve, vjetërsimin e fluturakeve dhe dyfishimin e armatimit në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Tensionet franko-gjermane

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u ka thënë privatisht ambasadorëve të BE-së javën e kaluar se blloku duhet “të ushtrojë gjuhën e fuqisë, e jo vetëm ta flasin”.

Përderisa BE-ja tashmë është duke punuar në projekte të përbashkëta dhe do të ndajë tetë miliardë euro nga buxheti i vitit të ardhshëm për një fond të armatimit, bllokut i duhet së paku edhe një javë për të krijuar pavarësi ushtarake nga Washingtoni, kanë thënë burimet.

Dallimet ndërmjet Francës dhe Gjermanisë kanë nisur të rishfaqen, me Berlinin që duket më skeptik ndaj nismave jashtë NATO-s. Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Annegret Kramp-Karrenabuer, ka thënë se evropianët nuk mund të shpresojnë se mund ta zëvendësojnë sistemin bërthamor mbrojtës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Franca, njëherësh, ka nisur luftë kundër terroristëve në rajonin veriperëndimor afrikan të Sahelit për vite me radhë, pasi që e sheh si operacion për mbrojtjen e krahut jugor të Evropës nga ekstremizmi islamik. Deri tani, ka pasur sukses të kufizuar për t’i bindur vendet evropiane për t’iu bashkuar misionit të saj.