Botë

Kriza e ambulancave, Italia nën presion pas ngritjes së rasteve te të rinjtë

Foto: Reuters

Alarmi i ambulancave dëgjohet në rrugë të ndryshme të qytetit, derisa mjekët po u japin pacientëve oksigjen para se të mbërrijnë në spitalin e Monzas, qytezë që është goditur më së rëndi nga vala e dytë e koronavirusit në rajonin e Lombardisë në Itali.

Ekipet e Kryqit të Bardhë të Milanos thonë se kanë nisur të ngelen pa personel. Më shumë se 130 vullnetarë janë angazhuar për t’ua lehtësuar punën mjekëve dhe infermierëve në kohën kur pandemia po e godet për së dyti Evropën, transmeton KOHA.

Drejtuesit e spitaleve vendase thonë se kanë nevojë edhe për pajisje shtesë për shkak të numrit të lartë të thirrjeve për ndihmë urgjente me oksigjen në pjesë të ndryshme të Lombardisë.

Pleqtë janë prekur më së shumti nga vala e parë, por drejtuesit e Kryqit të Bardhë thonë se është ngritur numri i të rinjve që po vuajnë prej COVID-19.