Botë

Ekipi i Bidenit nis punën e bartjes së pushtetit

Foto: AP

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka krijuar ekipet që do t’i përdorë për të bërë bartjen e sigurt të pushtetit nga presidenti Donald Trump. Më shumë se 500 pjesëtarë të stafit kanë nisur të punojnë me agjencitë federale për t’u përgatitur për kalimin e Bidenit në Shtëpinë e Bardhë, shkruan Reuters. 

Megjithatë, presidenti Donald Trump ka vazhduar të refuzojë humbjen, duke dhënë deklarata të paqëndrueshme për manipulimin e zgjedhjeve. Ka thënë se pas zyrtarizimit të zgjedhjeve, do të jetë fitues i tyre. Refuzimin e Trumpit për të pranuar humbjen Bideni e ka quajtur turp.

Ndërkaq Trumpi i ka bërë kërkesë shtetit të Michiganit që të mos certifikojë rezultatin e zgjedhjeve derisa të vërtetohet se të gjitha votat janë të ligjshme. Kjo kërkesë e re është vazhdimësi e atyre që ekipi i presidentit i ka bërë nëpër shtete me garë të ngushtë, me të cilat po tenton të mbajë gjallë shpresën për fitoren e Trumpit.

Mirëpo gjykatësit kanë hedhur poshtë kërkesën për shtetin e Michiganit ndërkaq ekspertët ligjorë kanë thënë se ka shumë pak mundësi që të ndërrohet rezultati i zgjedhjeve të 3 nëntorit. Më shumë se 80 për qind e amerikanëve, përfshirë gjysmën e republikanëve, në një sondazh të Reutersit, kanë thënë se Bideni është fitues legjitim i zgjedhjeve.

Refuzimi i Trumpit për të pranuar humbjen edhe në ditët e fundit kur liderët botërorë kanë uruar Bidenin, është faqja e fundit e katër vjetëve të republikanit që ka polarizuar thellë Shtetet e Bashkuara. Por përkrahësit e Trumpit janë shprehur të lumtur me stilin refuzues të tij. Atë e kanë përkrahur edhe republikanët që kanë thënë se është në të drejtën e tij që të kontestojë rezultatin e zgjedhjeve.

Zëvendësguvernatori i Teksasit, Dan Patrick, ka thënë të martën se do të paguajë 1 milion dollarë nga llogaria e tij për të gjithë njerëzit që ofrojnë fakte për manipulimin e votave. Privatisht, shumë republikanë kanë thënë se Trumpi shumë shpejt duhet të dalë me prova bindëse ose ta pranojë humbjen e zgjedhjeve.

Bideni të enjten planifikon të takohet me këshilltarët që do ta ndihmojnë për t’u bërë gati që të marrë kontrollin e Shtëpisë së Bardhë më 20 janar të vitit 2021. Ai ka caktuar takime me ekspertët e financave, tregtisë dhe bankave për ta bërë gati ekipin qeverisës për mënyrën e adresimit të ndryshimeve klimatike, pabarazisë në pasuri dhe tema të tjera.

Bideni pritet të angazhojë edhe zyrtarë që kanë krijuar ligje më të ashpra për mbrojtjen e ambientit kur kanë shërbyer me presidentin Barack Obama.

Kandidati demokrat siguroi presidencën të shtunën me fitoret në Pennsylvania dhe Nevada, duke tubuar 279 vota elektorale. Fati i zgjedhjeve nuk është vendosur në North Carolina, ndërkaq Bideni po prin në Georgia dhe Arizona. Rinumërimi i votave pritet të bëhet në disa shtete, por nuk do të ndryshojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.