Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, ka emëruar anëtarët e një taskë-force, duke vënë në pah se lufta kundër pandemisë së koronavirusit do të mbetet prioritet.
Bideni ka thënë se një prej “betejave më të rëndësishme” është menaxhimi i ngritjes enorme të rasteve dhe për të siguruar një vaksinë të sigurt për popullin amerikan.
Refuzimi i Trumpit
Ai ka vazhduar të flasë edhe për çështjet e bartjes së pushtetit, pa lënë anash edhe agjendën e tij të fushatës për t’u marrë me ndryshimin klimatik dhe emigrantët. Por presidenti Donald Trump ende vazhdon të refuzojë dorëzimin e pushtetit dhe po kërkon që rezultati i zgjedhjeve të kalojë nëpër filtrat e sistemit juridik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Fitorja e zotit Biden është shpallur të shtunën, por mbetet vetëm projeksion, me një numër shtetesh që ende po numërojnë votat. Dallimi në shkallë vendi në vota ndërmjet dy kandidatëve është rreth 4.5 milionë vota.
Bideni dhe zëvendëspresidentja e zgjedhur Kamla Harris kanë lansuar një uebfaqe me të cilën po përgatiten për bartjen e pushtetit, duke vlerësuar se ekipi do të përqendrohet edhe në ekonomi dhe në luftimin e racizmit.
Por presidentit të zgjedhur i duhet edhe ndihma e agjencisë së quajtur Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme për të nisur procesin e transicionit dhe udhëheqësi i saj, i emëruar nga Trumpi, nuk ka treguar shenja se kur do të fillojë bartja e pushtetit.
Ndërkohë, Bideni ka vazhduar të marrë urime nga liderët e shteteve të ndryshme, të cilët i kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim pas acarimeve të raporteve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve gjatë administratës së Trumpit.
Mst: Merkeli flet për bashkëpunimin me presidentin e ri
Kancelarja gjermane ka uruar presidentin e zgjedhur të SHBA-së dhe u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që të punojnë krah për krah. Por Angela Merkel e ka pranuar se BE-ja duhet të kujdeset vetë për sigurinë e saj.
Liderja evropiane e konsideron Joe Bidenin lider me përvojë, që i njeh fort mirë Evropën dhe Gjermaninë. Ajo ka thënë se BE-ja dhe SHBA-ja janë aleatë dhe se kanë interesa e vlera të përbashkëta themelore. E etur për të ndryshuar raportet e mëparshme për shkak të kritikave të Donald Trumpit ndaj Gjermanisë, Merkel ka thënë se Gjermania dhe SHBA-ja duhet të angazhohen bashkërisht në luftën kundër koronavirusit, ngrohjes globale, terrorizmit dhe për të mbrojtur tregtinë e lirë.
Trumpi e kishte quajtur Gjermaninë “peng të Rusisë” për shkak të mbështetjes gjermane të tubacionit rus përgjatë Detit Baltik, duke i kërcënuar prodhuesit gjermanë të makinave me tarifa të larta. Berlinin e akuzonte se nuk po kontribuonte mjaftueshëm në NATO.
Heshtja e Putinit
Rusia nuk ka dashur të komentojë të hënën rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane përderisa nuk shqyrtohen ankesat e presidentit Donald Trump. Pavarësisht fitores së shpallur të demokratit Joe Biden, Moska insiston se duhet të priten vendimet juridike pas ankesave të fushatës së Trumpit. Presidenti Vladimir Putin nuk ka shprehur kurrfarë qëndrimi edhe dy ditë pas raportimit të mediave amerikane se Bideni tashmë ka siguruar më shumë se 270 elektorë të nevojshëm për të marrë drejtimin e Shteteve të Bashkuara për katër vjetët e ardhshëm.
Zëdhënësi i Kremlinit ka thënë se nuk është e drejtë që të dilet me komente kur ende nuk është mbyllur zyrtarisht procesi zgjedhor. Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës pësuan krizën më të madhe diplomatike pas Luftës së Ftohtë kur Moska aneksoi Krimenë më 2014 kur Shtëpia e Bardhë qeverisej nga demokrati Barack Obama. Rusia është akuzuar se kishte ndërhyrë në fushatën presidenciale të vitit 2016 në favor të Trumpit. Moska i ka hedhur poshtë akuzat.