Botë

Fitore për Joe Bidenin, më në fund

Descriptive Text

Kamala Harris do të hyjë në histori si femra e parë që zgjidhet zëvendëspresidente

Bordi editorial i gazetës prestigjioze amerikane “New York Times” ka dalë të dielën me një editorial në mbështetje të Joe Bidenit pas rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit. Në analizën e shkruar nga grupi i gazetarëve opinionistë, pikëpamjet e të cilëve bazohen në ekspertizë, hulumtime, debat dhe vlera të qëndrueshme, bëhet e ditur se opinioni i tyre është i ndarë prej redaksisë së gazetës.

“Fitore për Joe Bidenin, më në fund”, është titulluar shkrimi i bordit. Duke parë se Amerika po shkonte drejt batakut të nacionalizmit autokratik, qytetarët amerikanë kanë vendosur ta shpëtojnë vendin në zgripc. Në analizë njoftohet se numërimi i votave do të vazhdojë edhe disa ditë me radhë, porse tashmë është bërë e qartë se Shtëpia e Bardhë do të qeveriset gjatë katër vjetëve të ardhshëm nga demokrati Joe Biden. Bideni tashmë ka fituar më shumë se 270 elektorë të nevojshëm të Kolegjit Zgjedhor për të marrë drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas një mandati të qeverisur nga republikani Donald Trump. “Së shpejti do të marrë fund mësymja katërvjeçare e presidentit Trump mbi institucionet dhe vlerat tona demokratike”.

“Gara gjeneroi pasione të zjarrta. Në një vit të shënuar nga humbja e pakalkulueshme e jetës dhe shkatërrimit ekonomik nga pandemia, amerikanët dolën në shifra rekorde për të votuar, duke nisur para ditës së zgjedhjeve. Zoti Trump ende di si të joshë turma – megjithëse jo gjithnjë në favor të vetin. Në fund, ishte zoti Biden ai i cili mori më shumë vota se cilido kandidat tjetër për president në historinë amerikane, përderisa zoti Trump u bë kandidati i dytë me më së shumti vota në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, vlerësohet në editorial.

Kjo dalje rekorde e qytetarëve amerikanë te kutitë e votimit erdhi bashkë me zhgënjimin e dy kampeve: për mbështetësit e Bidenit, të cilët shpresonin se do të kishte ndëshkim më të madh të trumpizmit, dhe me një Senat që do të mund të çonte përpara agjendën e tyre, dhe për mbështetësit e Trumpit, të cilët shpresonin se do t’i fitonin edhe katër vjet dhe për të ndëshkuar kritikët e tij, vlerësohet aty. “Fatbardhësisht, zoti Biden premton të jetë president i dy palëve – një kthesë e madhe nga një lider, i cili ka kaluar krejt fushatën me premtimet se do të ndjekë një rrugë pajtimi ndërmjet mbështetësve dhe armiqve të tyre”.

Megjithëse javët e ardhshme me gjasë do të rezultojnë me lëvizje të papritura dhe dezinformata të rrezikshme nga presidenti Trump, ia vlen të shfrytëzohet ky moment për të ngritur dolli dhe për të marrë frymë lirshëm, thuhet në analizën e gazetës njujorkeze, shpeshherë të sulmuar nga Trumpi, pa dëshmi, për lajme të rrejshme. “Amerika i ka dhënë qytetarisë së vet përgjegjësinë për t’iu kërkuar llogari liderëve të tyre, për të vendosur se çfarë lloj shteti dëshirojnë të jenë. Mbështetja e gjerë për mesazhin e zotit Biden për unitet dhe shërim është kauzë për ta festuar. Amerikanët kanë përqafuar atë optimizëm dhe zotin Biden si president të ardhshëm”.

Por editoriali paralajmëron se qysh tash fillon puna e vërtetë e madhe.

Bideni do ta marrë zyrtarisht detyrën në janar, pas një mori krizash që kanë goditur vendin. NYT-i vlerëson se Trumpi do ta lërë prapa vetes një Amerikë më të dobët, të varfër, më të sëmurë dhe më të ndarë se para katër vjetësh. Zhvillimet e fundit kanë ashpërsuar kushtet e mëhershme; duke nisur nga kriza e sistemit shëndetësor që po përballet me pandeminë deri te politikat amerikane të migracionit. Vendi është përballur sivjet edhe me protestat e mëdha mbarëkombëtare kundër padrejtësisë sociale dhe racore me lëvizjen e afroamerikanëve që kërkojnë drejtësi. Brutaliteti policor ka qenë një prej çështjeve që ka shkaktuar zemërim të madh në rrugë të prirë nga lëvizja “Black Lives Matter”. “Zoti Biden është zotuar se do të mendojë për gjithëpërfshirje dhe aksion të vendosur për t’i luftuar këto sfida”.

Harta zgjedhore sugjeron se rimëkëmbja do të marrë kohë dhe se nuk do të jetë aspak e lehtë. Ende nuk dihet me saktësi përbërja e Senatit, por republikanët mund ta mbajnë lidershipin. Qeveria, sikurse edhe vendi, do të mbetej e përçarë.

Bideni e ka bërë të qartë se dëshiron të punojë me të gjitha palët pavarësisht përkatësive partiake. “Kjo është në natyrën dhe fahun e tij politik. Por klima e tanishme politike nuk është sikur ishte pesëdhjetë, apo pesë vjet më parë. Edhe nëse ai do të mundohet për konsensus, presidenti i ri duhet të jetë i përgatitur që të luftojë për prioritetet e tij”.

Andaj, vlerëson gazeta, edhe opinioni publik amerikan duhet të jetë i përgatitur për të kryer pjesën e vet të punës. Njerëzit e vullnetit të mirë dhe të idealeve demokratike nuk duhet ta humbin interesimin vetëm pse nga skena do të largohet Trumpi. “Ata duhet të mbesin të përfshirë në procesin politik dhe të kërkojnë më të mirën nga liderët e tyre nëse duan që të shënohet përparim”, shkruhet në editorialin e NYT-it.

Njujorkezja vlerëson se mesazhi i frikës dhe i pakënaqësisë i Trumpit ka rezonuar në mesin e miliona amerikanëve. Trumpizmi nuk do të zhduket në mënyrë magjike. “Përkrahësit e tij do të gjejnë energji dhe qëllim për të ndjekur një lëvizje të re rezistence të përkushtuar për të minuar dhe delegjitimuar administratën e ardhshme”.

Andaj vlerësohet se një përgjegjësi e madhe do të kërkohet edhe nga lidershipi republikan, që ishte në mëdyshje të mëdha për shkak të mësymjes së Trumpit. “Dhe mënyra se si do të reagojnë republikanët, nëse do të ndjekin politika partizane, apo do të kthehen në bashkëpunëtorë, do të përcaktojë rrugën e tanishme të vendit”.

“Epoka e Trumpit do të shihet si test shtesë presioni për eksperimentin amerikan. Presidenti ka bërë çmos për të minuar themelet demokratike të vendit”, shkruhet në editorialin e NYT-it. “Ato u lëkundën, por nuk u thyen. Zoti Trump ekspozoi ato cenueshmëri, por edhe fuqinë e tyre. Tani është në dorë të zotit Biden për të përmirësuar dhe garantuar këto themele, të ndihmojë kthimin e besimit se demokracia jonë dhe vetë ne – t’ia kthejmë madhështinë si asnjëherë tjetër”.