Botë

Rritet epërsia e Bidenit në Pennsylvania dhe Nevada, shkon sigurt drejt fitores

Epërsia e Joe Bidenit në Pennsylvania dhe Nevada ka vazhduar të rritet me përditësimet e fundit nga të dhënat në këto dy shtete.

Në Pennsylvania, Bideni tani udhëheq me 9027 vota para Donald Trumpit, ndërsa epërsia pritet të rritet edhe më shumë me të dhënat që vijnë nga Philadelphia.

Kandidati demokrat udhëheq edhe në Nevada. Epërsia e tij është rritur në 22 mijë e 76 vota, apo 1.7 për qind në total.

Aktualisht Bideni udhëheq 264:214 në votën elektorale, ndërsa i duhen edhe 6 vota për t’u bërë president i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

16:47 - Georgia shkon në rinumërim

Brad Raffensperger, sekretari i shtetit të Georgias, ka konfirmuar se do të ketë rinumërim të votave në këtë shtet.

“Do të ketë rinumërim në Georgia”, ka thënë ai në Atlanta, duke premtuar transparencë në proces.

Duke marrë parasysh garën e ngushtë presidenciale në Georgia, pritej që rinumërimi të ndodhte.

Aktualisht, Joe Biden i Partisë Demokratike udhëheq ndaj presidentit Donald Trump për vetëm 1579 vota në Georgia, në një garë tejet të rreptë.

Pa llogaritur Georgian, Bideni është duke prirë në garën e përgjithshme me 264 vota elektorale kundrejt 214 sa ka Trumpi. Për të fituar zgjedhjet duhen 270 vota elektorale. Bideni po udhëheq edhe në Nevada dhe Pennsylvania.

15.03 - Bideni bën tjetër përmbysje të madhe, kalon në epërsi edhe në Penssylvania

Fundi i procesit të numërimit të votave po shkon ë favor të Joe Bidenit. Kandidati demokrat ka bërë edhe një përmbysje të rezultatit zgjedhor. Pasi kaloi në epërsi në shtetin e Georgias, tash ka kaluar në epërsi edhe në atë të Pennsylvanias, ka bërë të ditur Guardian duke u bazuar në të dhënat e AP-së.

Bideni, teksa kanë mbetur të numërohen edhe dy për qind e votave të përgjithshme, ka 5.594 vota më shumë se presidenti aktual Donald Trump.

Penssylvania, fituesit i sjell 20 vota elektorale, e atij i duhen vetëm edhe gjashtë vota për t’u shpallur president.

Aktualisht, Bideni është duke udhëhequr në tri shtete.

14.27 - Bideni rrit epërsinë, Trumpi kërkon nga qytetarët t’i paraqesin dallaveret

Kandidati demokrat, Joe Biden, ka rritur epërsinë në shtetin e Georgias, ku vetëm sot përmbysi rezultatin.

Epërsia e tij është rritur nga 917 vota në 1096, teksa kanë mbetur për t’u numëruar edhe rreth 50 mijë vota apo një për qind e totalit.

Së shpejti pritet të vijnë rezultate edhe nga Pennsylvania, nga ku ka gjashtë orë që nuk ka ardhur asnjë e dhënë rreth numërimit, njoftoi CNN-i.

Bideni edhe në këtë shtet ka bërë kthesë të madhe, ku nga mbi një milion vota sa ishte prapa republikanit Donald Trump, tash ka vetëm 18.042 vota më pak. Por rezultatet e reja mund të ngushtojnë edhe më shumë epërsinë apo ta shkrijnë fare.

Ndërkohë, fushata e presidentit Trump ka paralajmëruar hapjen e një linje telefonike për, siç thuhet, paraqitjen e dallavereve gjatë procesit zgjedhor.

Deri më tash, kampi i Trumpit nuk ka mundur të dokumentojë dallaveret e pretenduara, edhe pse ka folur shumë për to.

Zëdhënësja e OSBE-së që monitoron zgjedhjet në SHBA, tha për Radio BBC se misioni nuk ka evidentuar asnjë shkelje.

Bideni ka 264 vota elektorale dhe i duhen edhe gjashtë për të fituar garën për president. Trump ka 214 vota.

Bideni udhëheq edhe për nga votat popullore, me mbi 3.5 milionë më shumë.

10.48 - Bideni kalon në epërsi në Georgia

Kandidati demokrat për president të SHBA-së, Joe Biden, ka kaluar në epërsi ndaj republikanit Donald Trump në shtetin e Georgias kur kanë mbetur edhe rreth 50 mijë vota për t’u numëruar ose 1 për qind e totalit, njofton Guardian duke u bazuar në të dhënat e AP-së.

Bideni tash udhëheq me 917 vota. Ky shtet siguron 16 vota elektorale, që do të ishin të mjaftueshme për fitoren e demokratit, meqë deri tash ka siguruar 264 vota elektorale.

Nëse fiton Bideni në Georgia, atëherë do të jetë demokrati i parë që e arrin këtë pas Bill Clintonit më 1992.

Po ashtu, nëse margjina e fitores është 0,5%, kandidati humbës ka të drejtë të kërkojë rinumërim brenda dy ditësh pas mbylljes së numërimit.

08.36 - Bideni gati të përmbysë Trumpin në Georgia

Kandidati demokrat Joe Biden është afër të përmbys kundërkandidatin republikan Donald Trump edhe në shtetin e Georgias.

Sipas të dhënave të AP-së, të cilat i përcjell Guardian, në këtë shtet që siguron 16 vota elektorale kanë mbetur të numërohen edhe pak më shumë se 50 mijë vota, ndërkohë epërsia e Trumpit është ngushtuar në 1.267 vota.

Përmbysje të rezultatit mund të ketë edhe në Pensylvania, ku kanë mbetur të numërohen mbi 200 mijë vota. Epërsia e Trumpit tani është ngushtuar në 18.042 vota.

Në Nevada, kur kanë mbetur të numërohen mbi 250 mijë vota, Bideni po e mban epërsinë dhe tash ajo është 11.438.

Trumpi duket më mirë në Alaska ku udhëheq me 54.610 vota dhe në North Carolina me 76.701 vota.

Bideni deri më tash ka fituar 264 vota elektorale dhe i duhen edhe gjashtë për t’u shpallur president i SHBA-së, Trump ka 214.

Për nga votat popullore, Bideni udhëheq me mbi 3.5 milionë vota.