Botë

Po zvogëlohet disavantazhi i Bidenit në Michigan

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po zgjedhin presidentin për katër vitet e ardhshme, 2021 – 2025. A do të jetë sërish president, Donald Trumpi apo demokrati Joe Biden, kjo pritet të mësohet të mërkurën. Amerikanët janë futur në procesin zgjedhor të ndarë si asnjëherë më parë në 50 vitet e fundit. Para ditës së zgjedhjeve, kanë votuar gati 100 milionë amerikanë, sa përmes postës sa duke shfrytëzuar mundësinë e votës së hershme.

13:14 - Po zvogëlohet disavantazhi i Bidenit në Michigan

Po zvogëlohet disavantazhi në vota mes presidentit Donald Trump dhe kandidatit Demokrat, Joe Biden në Michigan.

CNN raporton se zvogëlimi vjen nga numërimi i votave në Wayne County, ku janë Detroiti dhe rrethinat.

Wayne County – që është qarku më i madh në shtetin e Michiganit – ka rreth 18 për qind të popullatës që voton nga ky shtet.

“Ato vota janë me postë kryesisht. E dimë se po vinë nga një zonë tradicionalisht që i ka përkrahur Demokratët. Demokratët kanë votuar shumë me postë”, ka thënë gazetari i CNN-it, Phil Mattingly.

Donald Trump ishte në epërsi në Michigan rreth 212 mijë vota, tash është rreth 50 mijë.

12:40 - Rrugët e Trumpit dhe Bidenit drejt fitores në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe sfiduesi Demokrat, Joe Biden, kanë një rrugë mjaft të ngushtë drejt një fitore potenciale në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së.

Fituesi pritet të përcaktohet me një dallim shumë të vogël.

Në gjashtë shtete vendimtare – Georgia, Michigan, Nevada, Karolinë Veriore, Pennsylvani dhe Wisconsin – Bidenit i duhet të sigurojë fitore në së paku tri prej tyre, ndërsa Trumpi në katër prej tyre.

Fituesi është gati e sigurt se do të vendoset nga miliona vota me kusht dhe me postë, që janë dhënë së pari dhe që shpesh numërohen në fund.

Deri në ora 6 të mëngjesit me kohë lokale në SHBA (12:00 me kohën tonë), Bideni kishte një epërsi të ngushtë në Nevada dhe Wisconsin, ndërsa Trumpi po ashtu epërsi të ngushtë në Georgia, Karolinë Veriore, Pennsylvani dhe Michigan, ndonëse dhjetëramijëra vota ende kanë mbetur pa numëruar në këto shtete, shumica që kanë ardhur me postë nga zonat rreth qytetit, që tradicionalisht i favorizojnë Demokratët, shkruan Reuters.

Më poshtë janë rruga e Trumpit dhe Bidenit drejt fitores:

Trumpi

Rruga më e mundshme e Trumpit drejt fitores kalon nëpërmjet Pennsylvanisë, shtet që e ka fituar në vitin 2016. Nëse fiton atje, atëherë duhet të fitojë tri nga shtetet tjera kyçe për të siguruar 270 vota elektorale. Nëse nuk e fiton Pennsylvaninë, atëherë i duhet të fitojë në pesë shtetet tjera kyçe.

Trumpi po udhëheq në Pennsylvani me 55 për qind karshi 43 sa i ka Biden, ndërsa janë numëruar 75 për qind të votave.

Qytetet më të mëdha të shtetit, Philadelphia dhe Pittsburghu, kanë raportuar vetëm një sasi të vogël nga rezultatet e zgjedhjeve deri më tash, dhe ato pjesë tradicionalisht favorizojnë demokratët. Përtej kësaj, shumë nga votat që mbesin për t’u numëruar janë me postë, dhe nga shteti është thënë se shumë më tepër demokratë sesa republikanë kanë votuar me postë këtë vit.

Gjykata e Pennsylvanias ka urdhëruar zyrtarët që të numërojnë votat me kusht që janë bërë deri të martën, përderisa ato arrijnë deri të premten.

Bideni

Rruga më e mundshme e Joe Bidenit drejt fitores shkon nëpërmjet Nevadas dhe Wisconsinit, shtete ku ka një epërsi të lehtë deri të mërkurën mnë mëngjes. Nëse Bideni fiton ato shtete, atëherë fitorja në Georgia, Michigan apo Pennsylvania i mjafton Bidenit për fitore.

Trumpi ka një epërsi prej 51 për qind karshi 47 në Michigan, por shumë nga votat me postë nga Detroiti dhe periferia mbesin të numërohen, ku demokratët historikisht gëzojnë avantazh elektoral.

Zyertarët në Nevada, ku Bideni është duke kryesuar me 49.3 për qind karshi 48.7 kur janë numëruar 86 për qind e votave, kanë thënë se nuk do të vazhdohet numërimi deri në ora 11:00 në mëngjes të enjten me kohë lokale.

11:02 - Bideni kalon në epërsi në Wisconsin

Rezultatet nga Mil]aukee kanë përmbysur situatën në Wisconsin në favor të Joe Bidenit, që është duke kryesuar në këtë shtet aktualisht, ka raportuar CNN.

Informatat për votat me kusht nga Mil]aukee janë dorëzuar me përcjellje policore.

“Kur ke tre policë që përcjellin këto, atëherë e kupton rëndësinë e ngjarjes”, ka thënë gazetari i CNN-it, Young. Wisconsin i ka dhjetë vota elektorale.

10:38 - CNN: Bideni e fiton Havajin

Sipas projeksionit të CNN-it, Bideni do ta fitojë edhe Havajin. Janë katër vota elektorale në këtë shtet.

10:12 - Kampi i Bidenit i gatshëm për betejë ligjore me Trumpin

Kampi i kandidatit Demokrat për president të SHBA-së, ka thënë se e ka ekipin ligjor në gatishmëri nëse Donald Trump nëpërmjet gjykatës tenton ta ndalë numërimin e votave, raporton CNN.

“Nëse presidenti e çon vërtetë para atë kërcënim për të shkuar në gjykatë për të parandaluar numërimin e votave, ne kemi ekipet ligjore që janë në gatishmëri për t’i rezistuar këtij tentimi”, ka thënë menaxherja e fushatës së Bidenit, Jen O’Malley Dillon.

Dillon e ka quajtur deklaratën e Trumpit, i cili ka akuzuar për mashtrim dhe ka kërcënuar të shkojë në Gjykatën Supreme për të ndaluar numërimin, si skandaloze.

“Deklarata e sotme e presidentit për ndalimin e votimeve është mizore, e paprecedent dhe jokorrekte. Është mizore pasi është një tentim për të marrë të drejtën demokratike të qytetarëve amerikanë”, ka thënë ajo, duke shtuar se numërimi do të vazhdojë.

AP: Bideni po e fiton edhe Arizonan

Kandidati demokrat Joe Biden, sipas agjencisë AP, ka fituar edhe shtetin e Arizonas dhe 11 votat elektorale të saj, duke e fituar një shtet që Donald Trumpi e kishte fituar katër vjet më parë dhe që mund të jetë vendimtar për zgjedhjet.

Kjo mund të jetë goditje e madhe për gjasat e Trumpit për t’u rizgjedhur. Arizona e ka mbështetur një kandidat Demokrat vetëm një herë në 72 vjetët e fundit.

Me Arizonën, Bideni, do të arrinte në 238 vota elektorale, karshi 231 të Trumpit.

09:09 - NYT: Bideni e fiton Mainen

Joe Biden i ka fituar së paku tri nga katër votat elektorale në shtetin e Mainet, duke shtuar epërsinë, shkruan NYT. 

Biden ka arritur tashmë në 227 vota elektorale, karshi 213 sa i ka Trump. Për të fituar zgjedhjet duhen 270 vota elektorale.

09:06 - Protesta kundër Trumpit në rrugët e Washingtonit

Ndërsa qendrat e votimit janë mbyllur dhe votat ende po numërohen, protesta kundër presidentit Donald Trump janë mbajtur në rrugët e kryeqendrës Washington DC, duke çuar te skena të tensionuara, shkruan BBC.

Qindra kanë marshuar nëpër Capitol, duke bllokuar nganjëherë edhe trafikun e duke ndezur fishekzjarrë.

Disa kanë bërë thirrje: “Nëse ne nuk kemi drejtësi, atëherë ata nuk do të kenë paqe!”

Protestat kanë qenë kryesisht paqësore, por ka pasur raportime të konfrontimeve jashtë Shtëpisë së Bardhë. Tre persona janë arrestuar siç ka njoftuar NBC.

08:36 - Trumpi akuzon për mashtrim, e sheh veten fitues të zgjedhjeve

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka akuzuar për mashtrim dhe ka thënë se e sheh veten fitues të zgjedhjeve. Ai ka paralajmëruar se do të çojë deri në Gjykatën Supreme. 

“Miliona e miliona njerëz kanë votuar për ne. Një grup i trishtuar i njerëzve po mundohet të vjedhë atë grup të njerëzve”, ka thënë Trump.

Ai ka thënë se ishte përgatitur ta shpallte fitoren në mbrëmje.

“Ne po përgatiteshim për një festë të madhe. Po fitonim çdo gjë. Papritmas u ndërpre”, ka thënë Trump.

Ai pa bazë ka akuzuar për mashtrim.

“Ky është mashtrim i publikut amerikan. Është një turpërim ndaj shtetit tonë. Për fat të mirë kemi fituar këto zgjedhje”, ka thënë Trump, ndonëse ka ende miliona për të numëruar, shkruan CNN. 

Ai ka thënë se do të shkojë në Gjykatën Supreme në SHBA dhe dëshiron që “gjithë votimi të ndalojë”.

Senatori Demokrat i Pennsylvanias, Bob Casey, është optimist se Joe Biden do ta fitojë këtë shtet.

“Mendoj se nëse ai e fiton Pennsylvaninë, e që mendoj se do ta bëjë këtë, atëherë i fiton Michiganin e Wisconsinin, dhe mbaron. Nëse fitohen këto tri shtete që janë humbur herën e kaluar, atëherë mbaron”, ka thënë Casey, raporton CNN.

08:23 - Bideni fiton një nga katër votat elektorale në Maine

Kandidati Demokrat, Joe Biden, ka fituar një nga katër votat elektorale në Maine, shkruan agjencia AP.

Bideni e ka fituar Qarkun e Parë Kongresist të shtetit, për një votë elektorale.

Në votat e përgjithshme në Maine, që vlejnë me dy vota elektorale, dhe po ashtu në Qarkun e Dytë Kongresist ende nuk është vendosur.

Maine kishte ndarë votat elektorale katër vjet më parë.

08:11 - Një votë e vetme elektorale në Nebraska mund të bëjë dallim të madh

Një votë të vetme elektorale të cilën Joe Biden e mori nga Nebraska, mund ta bëjë dallimin, shkruan CNN.

Duke shtuar se kur rezultati është aq i ngushtë, edhe një votë e vetme elektorale mund ta bëjë dallimin.

07:11 - Trumpi fiton Teksasin, bën hap të madh në afrimin me Bidenin

Donald Trump ka fituar në shtetin e Teksasit duke rrëmbyer 38 vota të rëndësishme elektorale për të bërë hap të madh drejt afrimit në rezultatin e përgjithshëm me kundërkandidatin, demokratin Joe Biden, raporton AP.

Me këtë triumf, Trumpi arrin në 212 vota elektorale, duke iu afruar Bidenit që ka 223. Kandidati që ka 270 vota bëhet president.

06:55 - Trump: Fitore e madhe

Presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur fitore të madhe rezultatin e së martës në zgjedhjet presidenciale përballë Joe Bidenit të Partisë Demokratike.

“Do të mbaj një fjalim sonte. Fitore e MADHE”, ka shkruar ai në rrjete sociale, në orët e para të mërkurës sipas kohës në SHBA.

Bazuar në rezultatet aktuale dhe projeksioneve, Bideni po udhëheq me votën elektorale, por në shtetet ku ka mbetur numërimi i papërfunduar, Trumpi është duke fituar.

06:47 - Trump: Po përpiqen të vjedhin në zgjedhje, s’do të lejojmë

Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se ai ka marrë rezultate të forta në zgjedhjet presidenciale e se rivalët po tentojnë të vjedhin në zgjedhje.

“Jemi në shifra të mëdha, por po përpiqen të vjedhin. Nuk do t’i lejojmë kurrë”, ka shkruar ai në Twitter, pak sekonda pasi kundërkandidati i tij, Joe Biden, u shpreh optimist se do të fitojë ndaj republikanit.

Rrjeti social Twitter ka fshehur menjëherë postimet e Trumpit nën arsyetimin se janë keqinformim.

06:45 - Bideni pret që rezultati të vonohet, shprehet optimist për fitoren

Pas përfundimit të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kandidati demokrat Joe Biden, është shprehur optimist se ai do të jetë fitues, përderisa ka thënë se pret që rezultati final të vonohet.

“Kam dalë këtu që t’u them se besojmë se jemi rrugës për fitore. E kemi ditur se votat me postë do të marrin kohë. Duhet të kemi durim deri të përfundojë gjithçka e të numërohet çdo votë. Por po ndihemi mirë, besojmë se kemi fituar në Arizona, dhe kemi marrë thirrje nga Minesota e jemi në garë në Georgia. Ndihemi mirë edhe për Michiganin dhe do të marrë kohë për të numëruar votat për të fituar Pensilvaninë”, ka thënë ai në paraqitjen e parë pas zgjedhjeve, në Delaware. “S’është puna jonë të tregojmë se kush do të fitojë, por jam optimist”.

06:40 - Trumpi fiton në Florida, ngushton diferencën me Bidenin

Presidenti Donald Trump ka arritur të fitojë edhe në disa shtete, sipas projeksioneve të AP-së, për të ngushtuar rezultatin në vota elektorale ndaj kandidatit demokrat, Joe Biden.

Fitorja në Florida ka bërë që Trump të ngjitet në kuotën e 174 votave elektorale, ndërsa Bideni vazhdon të prijë me 213.

06:13 - Bideni fiton në Hawaii, Trumpi në Ohio

Me fitoren e Bidenit në Hawaii dhe të Trumpit në Ohio, ka ndryshuar edhe një herë rezultati në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Tani, sipas NYT, Bideni udhëheq 213:136 në votë elektorale.

06:02 - Garë e paqartë në zgjedhjet në SHBA

Teksa numërimi po shkon drejt fundit, po bëhet më e paqartë se kush do të fitojë në zgjedhjet presidenciale 2020 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kandidati demokrat, Joe Biden, po udhëheq me votën elektorale me 209 vota deri tash, ndërsa presidenti aktual, Donald Trump, ka 118.

Për të fituar zgjedhjet kandidatit i duhen 270 vota elektorale.

Paqartësitë për rezultatin final janë shtuar pasi që në shtetet ku nuk ka përfunduar numërimi dhe s’ka projeksione, Trumpi po udhëheq.

Bideni, sipas New York Times, ka edhe votë popullore më shumë se Trumpi.

Teksa pas orës 06:00 sipas kohës lokale në Kosovë, NYT jep rezultatin 209:118 për Bidenin, CNN-i jep rezultatin 205:132 për Bidenin, ndërsa FoxNews 227:204 po ashtu për kandidatin demokrat.

05:02 - NYT: Bideni thellon distancën me Trumpin

Fitoret në Kaliforni, Oregon e Washington e kanë thelluar edhe më shumë diferencën mes kandidatit të Partisë Demokratike, Joe Biden, ndaj rivalit republikan Donald Trump në garën për të parin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas New York Times, Bideni tani ka 209 vota elektorale nga 270 sa duhen për të fituar zgjedhjet. Donald Trump deri tash ka 118 vota elektorale.

04:34 - Trumpi vazhdon të ngushtojë rezultatin, i afrohet Bidenit

10 vota elektorale ia ka shtuar Donald Trumpit Missouri për të ngushtuar rezultatin e përgjithshëm në vetëm 23 prapa kandidatit demokrat, Joe Biden.

Bideni udhëheq me 131 vota elektorale, ndërsa Trumpi ka 108, e kandidatit për t’u bërë president i duhen 270 vota elektorale.

Trumpi po udhëheq në shumicën e shteteve në të cilat është duke u bërë numërimi, sipas NYTimes.

Image

04:01 - Kansasi i jep votën Trumpit, ngushtohet diferenca me Bidenin

Donald Trump ka fituar gjashtë vota elektorale në Kansas për të ngushtuar diferencën me Joe Bidenin në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në 131:98, raporton NYTimes.

Shumë shtete kanë mbetur ende pa nisur të numërohen votat, ndërsa sapo ka përfunduar votimi në Iowa, Montana, Nevada e Utah.

03:39 - NYT: Bideni fiton edhe në Colorado

Joe Biden ka fituar edhe në shtetin e Colorados për të shtuar nëntë vota elektorale e për të thelluar diferencën me kundërkandidatin Donald Trump.

Me nëntë votat e reja, Bideni, sipas New York Times, ka arritur në 131 vota elektorale, për dallim nga Trumpi që ka 92.

03:34 - Bideni thellon diferencën me Trumpin

Joe Biden ka thelluar në 30 diferencën e votave elektorale me kundërkandidatin Donald Trump në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pasi fitoi Distriktin e Columbias duke shtuar edhe tri vota elektorale, për të ikur në rezultatin e përgjithshëm në 122:92, sipas New York Times.

03:00 - NYT: Bideni kryeson me 26 vota elektorale para Trumpit

Kandidati demokrat Joe Biden ka fituar edhe në New York e New Mexico për të thelluar dallimin nga presidenti Donald Trump në 26 vota elektorale, 119:93, raporton New York Times.

Trumpi edhe pse fitoi në Nebraska, Wyoming, South Dakota, North Dakota e Louisiana, ngelet prapa Bidenit në vota elektorale.

Presidenti aktual prin në votat popullore, por president shpallet ai që fiton 270 vota elektorale.

02:37 - NYT: Trumpi fiton Arkansasin

Presidenti Donald Trump ka arritur në 61 vota elektorale, pasi ka fituar edhe shtetin e Arkansasit. Megjithatë, Trumpi ngelet prapa në garën për president me Joe Bidenin e Partisë Demokratike.

Bideni udhëheq me 85 vota elektorale të tubuara deri tash, sipas New York Times.

Për të fituar zgjedhjet, një kandidati i duhen 270 vota elektorale.

02:06 - NYT: Bideni thellon diferencën me Trumpin

Kandidati demokrat, Joe Biden, ka thelluar diferencën me rivalin republikan, Donald Trump, për 30 vota elektorale duke ikur në 85:55, sipas New York Times.

Edhe pse ka më pak vota popullore, Bideni ka siguruar fitoren në Illinois, Virginia, Maryland, New Jersey, Connecticut, Massachusetts dhe Vermont.

Në anën tjetër, Trumpi ka fituar në Oklahoma, Mississippi, Alabama, Tennessee, Kentucky, West Virginia e South Carolina.

Image

01:44 - NYT: Bideni udhëheq me tri vota elektorale, 16:13

Kandidati demokrat Joe Biden është duke udhëhequr me tri vota elektorale kundrejt presidentit Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale të së martës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas “New York Times”, Bideni po udhëheq 16:13 me vota elektorale.

Ai ka fituar në Vermont dhe Virginia, ndërsa Trumpi ka fituar Kentuckyn e West Virginian.

01.43 - Bideni kalon në avantazh në bazë të votave popullore

Teksa janë numëruar gati 5 milionë vota, kandidati demokrat Joe Biden ka kaluar në avantazh në bazë të votave popullore, mirëpo vazhdon të humbasë në gazë të votave elektorale, ato që në fund zgjedhin presidentin.

Biden deri më tash, sipas projeksionit të CNN-it ka marrë 2,393,491 vota, kurse Trumpi 2,373,445 vota.

Trump, gjithnjë sipas CNN-it ka fituar 11 votat e para elektorale, kurse Bideni ende nuk ka asnjë.

01:08 - AP: Trumpi fiton Kentuckun e Bideni Vermontin

Presidenti Donald Trump e ka fituar Kentuckun, ndërsa rivali Demokrat, Joe Biden, Vermontin, shkruan agjencia AP.

Trumpi ka fituar tetë vota elektorale në Kentucky, ndërsa Bideni tri në Vermont.

01.02 - Projeksioni i CNN: Trumpi fiton 11 votat e para elektorale

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, sipas parashikimeve të CNN, ka fituar votat e para elektorale. Ai ka fituar Indianan ku ka marrë 11 vota elektorale.

Për t’u zgjedhur president, i duhen 270 vota elektorale në nivel vendi.

00:59 - Nga kampi i Trumpit thonë se janë më optimist se në vitin 2016

Nga kampi i Donald Trumpit thonë se janë optimistë se numri i madh i votuesve në ditën e zgjedhjeve sot do t’i jap shtytje përkundër epërsisë së Demokratëve nga votimet e hershme.

Menaxheri i fushatës së Trumpit, Bill Stepien, ka përmendur Floridan si një shenjë të mirë për kampin e tyre.

“Aty ku nuk pajtohemi me kampin e Bidenit është pikëpamja e tyre se çfarë po ndodh në ditën e zgjedhjeve. Besojnë se zgjedhja, dhe përbërja e votuesve sot në ditën e zgjedhjeve, do të ngjason me ata që votuan në ditën e zgjedhjeve në vitin 2016. Aty ku thyhet teoria e tyre, është se fushata e Bidenit ka kanibalizuar votat e tyre, diçka që keni dëgjuar shumë gjatë javës së fundit, diçka që kemi thënë dhe kemi parashikuar në javët e fundit. Ata thjeshtë kanë lëvizur ata që tradicionalisht votojnë në ditën e zgjedhjeve të votojnë hershëm. Urime”, ka thënë Stepien, raporton CNN. “Ata kanë shpresuar të mbyllin dyert e Pennsylvanias dhe Floridas, Wisconsinit dhe Arizonas para zgjedhjes, para se të fillonte dita e zgjedhjeve, kjo thjeshtë nuk ka ndodhur. Ata kanë lënë shumë vota në tavolinë. Dhe ne po bëjmë kthesë sot, duke përmbysur çfarëdo disavantazhi që Demokratët

00:22 - Trump: Po dukemi shumë mirë në gjithë vendin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është shprehur optimist për fitore në zgjedhjet.

“Jemi duke u dukur shumë mirë në gjithë vendin. Ju faleminderit”, ka shkruar Trump në Twitter.

00:15 - Azilkërkuesit shpresojnë në fitore të Bidenit

Në një kamp të improvizuar të refugjatëve matanë kufirit nga Brownsville, Teksas, Oscar Borjas dhe disa shokë po planifikojnë të mblidhen natën për të shikuar në ankth rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, raporton agjencia Reuters.

Borjas, një azilkërkues nga Hondurasi ka kaluar vitin e fundit duke jetuar në të ftohtë dhe në një kamp johigjienik në Matamoros në Meksikë. Ai nuk është një votues amerikan.

Ai është në mesin e dhjetëramijra emigrantëve jetërat e të cilëve janë frenuar nga politikat e emigracionit të administratës Trump dhe të cilët po luten që rivali Demokrat, Joe Biden, të fitojë zgjedhjet.

“Ne të gjithë po shpresojmë që Biden të fitojë”, thotë ai.

Nga Tijuana tek Matamoros, azilkërkuesit që kanë mbetur të ngujuar përgjatë kufirit po shpresojnë në fitore të Bidenit.

“Jam duke u lutur. Nuk jam fetar, por jam duke u lutur që Trump të detyrohet të largohet”, thotë Yuri Gonzalez, një azilkërkues kuban.

00:05 - Nis mbyllja e vendvotimeve në SHBA

Në Indiana dhe Kentucky ka nisur mbyllja e disa vendvotimeve në kuadër të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Disa prej vendvotimeve në këto vende do të mbesin të hapura edhe për një orë, varësisht nga zona kohore ku janë.

Vendvotimet në shtetin kyç, Florida, do të nisin të mbyllen pas pak po ashtu.

23:58 - Përkrahësit e Trumpit votojnë pro tij sepse e duan, jo pse Bideni është kundërkandidat

Votuesit që përkrahin presidentin amerikan Donald Trump janë duke votuar për të më shumë se që kanë dalë në zgjedhje kundër Joe Bidenit, rivalit demokrat.

Kështu kanë deklaruar 4 në 5 përkrahës të Trumpit, kanë zbuluar rezultatet e hershme të exit-polleve.

Edhe votuesit e Bidenit po e bëjnë të njëjtën, por në përqindje më të ulët. Rreth dy e treta e përkrahësve të Bidenit thonë se po votojnë për kandidatin e tyre, ndërsa një e treta thotë se po del në votime kundër Trumpit.

23.47 - Guvernatori republikan i Vermontit voton për Bidenin

Guvernatori i Vermontit, Phil Scott, ka thënë se ka votuar për Joe Bidenin për president, duke e bërë atë guvernatorin e parë republikan që ka pranuar se ka votuar për një kandidat demokrat për president.

Scott u ka thënë gazetarëve pasi ka dhënë votën në Berlin, Vermont, se kurrë më herët në jetë nuk ka votuar për një demokrat.

“Siç e dini shumë nga ju, nuk e kam përkrahur Trumpin. Nuk do të votoja për të. Por, më pas erdha në konkludim se nuk ishte mjaftueshëm për mua vetëm të mos votoja. Duhej të votoja kundër tij”, ka thënë Scott raporton agjencia AP.

23:45 - Votuesit amerikanë kanë besim se votat do të llogariten saktë

Votuesit në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të vitit 2020 kanë besim se votat do të llogariten saktë. Më pak se nëntë në dhjetë votues thonë këtë, shkruan CNN.

Nëntë në dhjetë votues raportojnë se votimi në shtetet e tyre është i lehtë, ku ata që votojnë se është vështirë është në njëshifror.

Më tepër se nëntë nga dhjetë votuesit raportojnë se ata kanë vendosur për votën e tyre para javës së fundit.

23:42 - Grenell thirrje votuesve: Mos u largoni, na duheni

Richard Grenell, bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit amerikan Donald Trump, përmes një postimi në Twitter u ka kërkuar votuesve amerikanë të mos largohen nga rreshtat e pritjes për votim.

“Mos u largoni nga rreshti. Na duheni”, ka shkruar ai në Twitter.

 

 

23:31 - Disa votues në periferi të Pennsylvanias po presin me orë për të votuar

Dalje masive e votuesve në Bucks County në periferi të Pennsylvanias, është duke krijuar radhë të gjata në qendra të votimit.

Komisioni i Bucks Countyt, Gene DiGirolamo i ka thënë CNN-it se ka dëgjuar se votuesit kanë kaluar deri tri-katër orë duke pritur për të dhënë votën. Në shkollën e lartë Bensalem, CNN ka folur me votuesit që kanë thënë se kanë kaluar 90 minuta për të vituar. Zyrtarët kanë thënë se dalja në këtë pikë votimi është gati dyfishë më e madhe sesa në zgjedhje normalisht.

Një nga arsyet mund të jetë se më pak se gjysma e 488 mijë votuesve ka votuar me kusht apo postë.

23:25 - Ekonomia, çështja kryesore që u intereson votuesve amerikanë më 2020

Çështja më e rëndësishme për votuesit amerikanë për zgjedhjet presidenciale më 2020 është ekonomia, me një të tretën e votuesve që e kanë zgjedhur këtë çështje, ndjekur nga një e pesta që kanë konsideruar pabarazinë racore si çështjen kryesore dhe atë për koronavirusin.

Një në 10 votues ka thënë se çështja më e rëndësishme për votuesit ka qenë siguria dhe një në 10 votues ka thënë se i intereson për politikat shëndetësore.

Më shumë se gjysma e votuesve kanë thënë se është më e rëndësishme të ndalet koronavirusi se që të rizhvillohet ekonomia.

Elektorati është ndarë edhe në përpjekjet për parandalimin e koronavirusit, me gjysmën që mendon se parandalimi është duke shkuar mirë, e gjysma tjetër që e konsideron keq.

Rreth dy e treta e votuesve në zgjedhjet mes Trumpit e Bidenit konsideron se bartja e maskës në publik është përgjegjësi publike shëndetësore, ndërsa tre në 10 njerëz mendojnë se kjo është zgjedhje personale.

22.41 - Harris fton amerikanët në Detroit të qëndrojnë në radhë për të votuar

Kamala Harris, kandidatja demokrate për zv.presidente, ka ftuar votuesit në Detroit të qëndrojnë në radhë për të votuar.

“Qëndroni në radhë. E di që ndoshta po kërkoj shumë, por kur mendojmë për vete, për fëmijët tanë, familjet dhe bashkësitë në katër vitet e fundit, kjo sigurisht nuk është shumë krahasuar me atë që mund të marrim si kthim”, ka thënë ajo.

22.09 - Trumpi u bën thirrje amerikanëve ta votojnë për të mirën e tyre

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka bërë thirrje edhe një herë amerikanëve që të dalin të votojnë.

Ai përmes një postimi në Twitter, ka ftuar amerikanët të votojnë për të mirën e tyre.

“Dil & Voto! Nën administratën time, ekonomia jonë po rritet me ritmin më të shpejtë ndonjëherë, 33.1%. Viti i ardhshëm do të jetë viti më i madh ekonomik në historinë amerikane!”, ka shkruar Trump në Twitter.

 

 

21.38 - Bideni pret që të ketë shifër rekorde të votuesve

Kandidati Demokrat në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, Joe Biden, ka folur në Philadelphia, Pennsylvania, duke iu adresuar një turme të madhe që u mblodhën dhe thirrnin emrin e tij.

Thirrjet si “Të duam” apo “Xhaxhai Joe” dëgjoheshin.

“Do të kemi më tepër persona që kanë votuar këtë vit sesa kurdoherë në historinë e Amerikës”, ka thënë ai, duke shtuar se pret që të votojnë deri 150 milionë amerikanë.

Ai ka thënë se votuesit mes moshës 18-30 vjet po dalin në numra të mëdhenj dhe ai thotë se e ka mësuar se “54 për qind të votuesëve deri tash janë gra”.

Biden ka vazhduar ta kritikojë presidentin Trump.

“Presidenti ka kthyer shumë gjëra prapa. Një nga to është, se ai mendon se mund ta vendosë se cili të votojë. E dini çfarë? Njerëzit do ta vendosin se kush do të jetë president! Mbaje në mend këtë. Kjo është SHBA-ja”, ka thënë Biden.

Ai ka mbyllur fjalimin duke i thënë grupit se nga Philadelphia do të kthehet në shtëpi në Wilmington, Delaware, ku do të qëndrojë në natën e zgjedhjeve.

21.23 - Teksasi nuk ka zgjedhur një demokrat për president që nga viti 1976

Shteti i Teksasit nuk ka zgjedhur një kandidat demokrat për president që nga vitit 1976. Por, CNN-i raporton se këtë herë në këtë shtet, demokratët janë shumë më të zëshëm dhe se kanë votuar në masë të madhe para datës së zgjedhjeve.

Po ashtu, CNN-i raporton se Amerika asnjëherë nuk ka zgjedhur mes dy kandidatëve në të shtatëdhjetat.

Trump i ka 74 vjet, kurse Bideni 77.

20.49 - Gati gjysma në Iowa kanë votuar para ditës së zgjedhjeve

Gati gjysma e votuesëve në Iowa kanë votuar para ditës së zgjedhjeve. Në të dhënat zgjedhore të shtetit të Iowas shihet se 996.970 kanë votuar hershëm, në person apo me postë. Është rreth 48 për qind e votuesëve të regjistruar dhe 63 për qind e numrit total të votuesëve të vitit 2016, shkruan CNN.

Rreth 41 mijë persona kanë votuar dje.

20.18 - Harris: Kam besim te amerikanët

E nominuara nga Demokratët për zëvendëspresidente, Kamala Harris, ka folur për gazetarët me të arritur në aeroportin në Detroit këtë pasdite, shkruan CNN.

“Ja ku jam kthyer në Detriot në ditën e zgjedhjeve, jam shumë e lumtur që gjendem këtu”, ka thënë Harris.

Kandidatja ka folur shkurtazi dhe ka marrë disa pyetje para se të vazhdonte me itinerarin.

“Dua t’ua rikujtojë të gjithëve se vendvotimet mbyllen në ora 8 sonte. Rruga për në Shtëpi të Bardhë dhe rruga për të përcaktuar se kush do të jetë president i ardhshëm i SHBA-së padyshim kalon nëpërmjet Michiganit”, ka thënë Harris.

Harris po ashtu është pyetur se pfarë mesazhi ka për amerikanët dhe nëse i druhet trazirave sonte.

“Kam besim te amerikanët. Unë fuqishëm besoj se ne – këdo që e votojmë – do ta mbrojmë integritetin e demokracisë sonë dhe transferimin paqësor të fuqisë. Ka vija të caktuara që pavarësisht se kush je, nuk do t’i kalosh”, ka thënë Harris.

20.11 - Zgjatet koha e votimit në Karolinën Veriore, pas problemeve në një vendvotim

Rezultatet e zgjedhjeve në Karolinën e Veriut do të shtyhen për së paku 45 minuta, pasi bordi i zgjedhjeve ka shtyrë kohën e votimit në një lokacion që kishte probleme këtë mëngjes, shkruan CNN.

Shteti ishte paraparë të raportonte rezultatet në ora 19:30 me kohë lokale, por nuk do të jetë në gjendje t’i bëjë të ditura ato së paku deri në ora 20:15.

Në Cabarrus County të Karolinës Veriore ndërkohë janë duke u gjurmuar 50 votues, pasi atyre u janë dhënë fletëvotime të gabuara.

19.29 - Trumpi nga Virginia: Do të kemi një natë të madhe

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është futur në selitë e fushatës së tij në Virginia, ku është pritur me duartrokitje nga stafi i fushatës së tij.

“Po dëgjojë se jemi shumë mirë në Florida dhe jemi shumë mirë në Arizona. Jemi jashtëzakonisht mirë në Teksat. Mendoj se jemi duke bërë, po dëgjojë se jemi shumë mirë kudo. Mendoj se do ta kemi një natë të madhe. Ndjehem shumë mirë”, ka thënë Trump, raporton CNN.

Trump thotë se mesazhi i tij për Amerikën është se “të gjithë duhet të bëhen së bashku”.

19.25 - Donald Trump Jr. poston një hartë ku Kosova figuron si pjesë e Serbisë

I biri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Donald Trump Jr., ka publikuar sot në Twitter një hartë të parashikimeve të rezultateve të zgjedhjeve në SHBA, se si do të votonin gjitha shtetet e botës në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së.

Në këtë hartë Kosova figuron si pjesë e Serbisë dhe parashikon se do të votonte për Republikanët.

Për postimin e Donald Trump Jr. kanë shkruar edhe mediumet serbe, duke thënë se ai e sheh Kosovën si pjesë të Serbisë.

“I biri i Trumpit publikon foton në të cilën Kosova është pjesë e Serbisë”, ka shkruar “Kurir.rs”.

“Në rregull, më në fund kam arritur ta bëjë një parashikim të hartës sime elektorale”, ka shkruar Donald Trump Jr.

 

 

19.13 - FBI-ja po heton thirrjet misterioze automatike

FBI-ja është duke hetuar një sërë thirrjesh misterioze automatike ku u është kërkuar qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi në ditën e zgjedhjeve, ka njoftuar agjencia Reuters.

Departamenti i Sigurisë dhe zyrtarët lokalë kanë ngritur alarmin për së paku dy kampanja të telefonatave automatike, origjina dhe qëllimi i të cilave është e paqartë. Ekspertët thonë se janë të befasuar nga njëra seri e telefonatave, ku i thotë njerëzve të qëndrojnë në shtëpi, por nuk përmendin në mënyrë eksplicite votimin.

“Ka pak konfuzitet për këtë”, ka thënë Giulia Porter, zëvendëspresidente e RoboKiller, kompani që lufton thirrjet të ashtuquajtura automatike dhe ka qenë duke gjurmuar këto thirrje.

Në audio dëgjohet një zë i femrës duke thënë: “Përshëndetje. Nuk është thjeshtë një telefonatë testuese. Koha të qëndrosh në shtëpi. Qëndro sigurt dhe qëndro në shtëpi”.

19.04 - Guvernatori i Ohios pret një fitore të ngushtë të Trumpit

Guvernatori i Ohios, Mike DeWine, mendon se Ohio do t’i dijë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale sot.

Së pari do të numërohen votat që janë bërë më herët, me kusht apo me post, ka thënë DeWine për CNN.

“Shifrat e hershme që do të dalin do të jenë të votave të hershme. Mund të pritet që Biden të jetë në epërsi në atë pikë por më pas në pjesën tjetër të natës, sinqerisht, është presidenti duke u munduar ta kapë. Unë mendoj se ai do t’ia dal. Do të jetë një garë shumë e ngushtë. Mendoj se presidenti do t’ia dal”, ka thënë DeWine.

18.58 - Itinerari i kandidatëve gjatë ditës së zgjedhjes

Kandidati Demokrat, Joe Biden, e ka nisur ditën e tij në shtëpinë e tij në Wilmington, Delaware. Ai mori pjesë në një meshë në kishën katolike të tij dhe bëri një vizitë të shkurtër te varri i të birit Beau Biden, po ashtu vizitoi varrin e bashkëshortes së ndjerë dhe të vajzës.

Nga atje, Biden, udhëtoi në qytetin e tij të dikurshëm Scranton, Pennsylvania. Ai ndaloi në shtëpinë ku ishte rritur dhe shkroi në mur: “Nga kjo shtëpi për te Shtëpia e Bardhë me ndihmën e Zotit”.

Biden vetëm sa ka arritur në Philadelphia, ku do të bëjë disa ndalje. Më pas do të kthehet në Wilmington. Ai më vonë do të dal në qendrën e zgjedhjeve.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u largua nga Shtëpia e Bardhë për një periudhë të shkurtër dhe arriti në selinë e fushatës së tij në Arlington, Virginia.

Trump dhe zëvendëspresidenti Mike Pence pritet të kalojnë natën e zgjedhjeve në Shtëpinë e Bardhë.

18.33 - Radhë të vogla dhe qetësi në orët e hershme të votimit

Në Atlanta, Georgia, disa dhjetëra votues u rreshtuan për të votuar në Piedmont Park Conservancy para lindjes së diellit. E para në rresht ishte Ginnie House, që vërehej se kishte të ftohët, duke pritur për të votuar për kandidatin Demokrat, Joe Biden, ish-zëvendëspresidentin e SHBA-së.

“Unë nuk do të humbasë këtë mundësi të votojë”, ka thënë House 22-vjeçare një aktore dhe studente në shkrim kreativ, që kishte udhëtuar në Atlanta nga New Yorku për të votuar. Për presidentin aktual Donald Trump ajo tha: “Ai po e përçan vendin tonë”.

Në Atlanta, Georgia, disa dhjetëra votues u rreshtuan për të votuar në Piedmont Park Conservancy para lindjes së diellit. E para në rresht ishte Ginnie House, që vërehej se kishte të ftohët, duke pritur për të votuar për kandidatin Demokrat, Joe Biden, ish-zëvendëspresidentin e SHBA-së.

“Unë nuk do të humbasë këtë mundësi të votojë”, ka thënë House 22-vjeçare një aktore dhe studente në shkrim kreativ, që kishte udhëtuar në Atlanta nga New Yorku për të votuar, shkruan agjencia Reuters. Për presidentin aktual Donald Trump ajo tha: “Ai po e përçan vendin tonë”.

Brandon Davis (34) një ngasës kamioni nga Georgia ka thënë se i janë dashur 5 minuta për të votuar. 

Në Hialeah, në periferi të Miamit, Marcos Antonio Valero (62), po votonte për Trumpin, siç kishte bërë edhe në vitin 2016. Ai ka marrë ditë të lirë nga puna në ndërtimtari për të votuar, pasi nuk i besonte votimit me postë.

18.09 - Bideni lë mesazh në shtëpinë ku është rritur

Kandidati për president të SHBA-së nga radhët e demokratëve, Joe Biden, ka lënë një mesazh në muret e shtëpisë ku është rritur në Scranton.

Në mesazh thuhet: “Nga kjo shtëpi në Shtëpinë e Bardhë, me ndihmën e Zotit”.

 

 

17.45 - Reduktohet në 250 numri i personave në festën e natës së zgjedhjeve në Shtëpinë e Bardhë

Numri total i personave që do të marrin pjesë në festën e natës së zgjedhjeve në Shtëpinë e Bardhë është reduktuar në 250, ka thënë një burim për CNN-in.

Burimi ka shtuar se gjithë mysafirët do t’i nënshtrohen një testi rapid për COVID-19, dhe çdo mysafirë do ta ketë një byzylyk se është testuar.

CNN më herët kishte raportuar se deri në 400 persona mund të marrin pjesë në festën.

17.21 - Udhëzues për votuesit me koronavirus

Koronavirusi po shpërndahet me të madhe në SHBA, shtetin me më së shumti të prekur dhe të vdekur si pasojë e pandemisë.

Dhe në ditën kur SHBA-ja po mban zgjedhjet presidenciale, Qendra amerikanë për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse ka nxjerr udhëzuesin për votuesit që janë të prekur me COVID-19.

Thuhet se duhet t’u përmbahen tri masave: të mbajnë maskë, të mbajnë distancë dhe t’i lajnë e t’i dezinfektojnë duart para votimit.

16.50 - Nuk ka tollovi në vendvotimet në New-York

Nuk ka tollovi në vendvotimet në New-York, pasi numri më i madh i votuesve e ka kryer obligimin duke votuar më herët, ka bërë të ditur BBC-ja.

Njujorkezët edhe në të shkuarën kanë preferuar të votojnë para ditës së zgjedhjeve.

16.44 - Bideni u adresohet mbështetësve

Joe Biden u është adresuar mbështetësve të mbledhur në qytetin e tij të lindjes, Scranton – Pensylvania.

Mbante maskë dhe mbështetësve u drejtua me megafon.

“Duhet t’ia kthejmë kurrizin këtij vendi. Klasa e mesme e ka ndërtuar këtë shtet, jo ‘Wall Street’”, ka thënë Biden.

16.30 - Tri vendvotime në Pennsylvani hapen me vonesë

Rrethi Allegheny në jug të Pensylvanisë është vonuar me hapjen e tri vendvotimeve. Por tash gjithçka është në rregull.

CN-i njofton se në vendvotime nuk ishte i gjithë materiali zgjedhor.

16.07 - Bashkëshortet e Bidenit dhe Trumpit, votuan

Jill Biden, gruaja e kandidatit për president Joe, ka votuar. Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter.

“Kjo është. Në disa orët e ardhshme do të vendosim për të ardhmen tonë, Gjithçka varet nga ne”, ka shkruar ajo.

Pak kohë më vonë, ka votuar edhe bashkëshortja e Trumpit, Melania. Ajo votoi në Florida.