Botë

Azerbajxhani dhe Armenia nisin bisedimet për zgjidhjen e konfliktit

Armenia dhe Azerbajxhani kanë filluar bisedimet në Gjenevë, me ndërmjetësimin ndërkombëtar, për të gjetur një zgjidhje rreth konfliktit të armatosur për rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakhut.

Të dyja vendet kanë arritur tri armëpushime, mirëpo asnjërit nuk i janë përmbajtur. Bisedimet po ndërmjetësohet nga Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara – shtete që kryesojnë të ashtuquajturin Grup të Minskut të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE), shkruan Rel të premten.

Grupi i Minskut është një nismë diplomatike që ka për qëllim zgjidhjen e këtij konflikti, që daton që prej vitit 1988, në kohën e Bashkimit Sovjetik.

Grupi ka thënë se në takimin e Gjenevës do të merren "të gjithë hapat e nevojshëm për të arritur një zgjidhje paqësore të konfliktit".

Luftimet e fundit në rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakhut – që nisën më 27 shtator – kanë lënë të vrarë qindra ushtarë dhe civilë dhe këto luftime po konsiderohen si më të ashprat që prej armëpushimit të vitit 1994, që i dha fund luftës ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit për statusin e rajonit të Nagorno Karabakhut.

Nagorno Karabaku ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por ky rajon kontrollohet nga armenët etnikë – që kanë mbështetjen e Jerevanit – që prej vitit 1994.

Dhuna që ka shpërthyer së fundmi ka rritur frikën se mund të zgjerohet.