Gjermania planifikon t’i angazhojë mijëra policë nëpër vend për t’u siguruar që të respektohen masat e reja antiCOVID, të cilat do të hyjnë në fuqi nga e hëna. Në mesin e masave të reja do të jetë mbyllja e restoranteve e bareve.
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer, ka njoftuar se policia do të përkujdeset që të respektohen masat, të cilat janë paraparë për të frenuar shtimin e rasteve me koronavirus.
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe liderët e landeve gjermane janë pajtuar të mërkurën për një mbyllje emergjente njëmujore, ku përfshihet mbyllja e restoranteve, palestrave dhe teatrove, për të ndalur ritmin në rritje të infektimeve.
“Kontrolli është esencial prë të siguruar që masat e reja do të jentë suksesshme. Në koordinim me landet, policia federale do të pozicionojë mijëra zyrtarë policorë”, ka deklaruar Seehofer.
Rritja e numrit të policëve mund të mos jetë e pëlqyeshme në një shtet që ka përjetuar të kaluarën komuniste në Gjermani Lindore dhe po ashtu të kaluarën naziste në kohën e Adolf Hitlerit.
Qyteti perëndimor gjerman Essen u kritikua nga politikanët opozitarë pasi tentoi të rekrutojë qytetarë për të raportuar qytetarët tjerë që nuk respektojnë masat, një metodë që nga disa është parë si kujtim i periudhës naziste.
Seehofer ka thënë se policia federale së pari do të përdoren në qytetet e mëdha dhe në zonat që janë më të rënduara nga pandemia.
Po ashtu do të rritet numri i policëve në aeroport, stacione hekurudhore dhe afër kufijve.
Në Gjermani, përgjegjësia për policinë kryesisht i takon 16 landeve. Rreth 40 mijë policë federalë janë përgjegjës për siguri në kufi, por mund të përkrahin edhe policinë nëpër lande nëse është e nevojshme.