Botë

Turqia paralajmëron veprime ligjore në lidhje me karikaturën e Erdoganit

Descriptive Text

Turqia ka paralajmëruar se do të marrë “veprime ligjore e diplomatike” në lidhje me karikaturën e presidentit Recep Tayyip Erdogan në revistën franceze “Charlie Hebdo”, shkruan BBC.

Në karikaturë shihet presidenti i Turqisë, duke ngritur fustanin e një gruaje të mbuluar.

Mediumet shtetërore turke kanë njoftuar se prokurorët në Turqi kanë nisur hetimet ndaj revistës satirike.

Tensionet mes Francës dhe Turqisë janë në një shkallë të lartë pasi presidenti francez Emmanuel Macron ka premtuar një qëndrim më të ashpër ndaj islamit radikal.

Erdogan, që po ashtu ka nisur veprimet ligjore ndaj një deputeti anti-islamik në Holandë për një karikaturë tjetër, i ka bërë thirrje turqve që t’i bojkotojnë produktet franceze dhe ka thënë se Macron duhet të bëjë një “kontroll mendor”.

Kjo mosmarrëveshje ka nxitur reagime nëpër botë, duke çuar te bojkotimet dhe protestat ndaj Francës në disa shtete me shumicë myslimane, përfshirë Bangladesh, Kuvajt, Jordani e Libi.

Situata eskaloi pasi Macron premtoi masa të ashpëra ndaj islamit radikal pas vrasjes së tmerrshme të një mësuesi francez që kishte shfaqur në klasë karikaturat e Profetit Muhamed.

Macron kishte thënë se mësuesi Samuel Paty është “vrarë pasi islamistët duan të ardhmen tonë”, por se Franca “nuk do të heq dorë nga karikaturat”.