Botë

Vdes irakiani, për kokën e të cilit SHBA-ja ofroi 10 milionë dollarë

Njeriu i dytë i regjimit të Saddam Husseinit, Izzat Ibrahim al-Duri, ka vdekur, bëjnë të ditur mediat e huaja të hënën, bazuar në një “twitt” të vajzës së diktatorit.

Raghad Saddam Hussein, vajza më e vjetër e Saddam Husseinit, ka shkruar në Twitter se ndjen mërzi për vdekjen e bashkëpunëtorit të babait.

Për kokën e tij, SHBA-ja kishte ofruar 10 milionë dollarë.

Izzat Ibrahim al-Duri ishte në arrati që nga viti 2003, kur forcat amerikane hynë në Irak dhe pasi e rrëzuan nga pushteti, e kapën Husseinin. Më pas ai u var për krimet që kishte kryer ndaj popullatës në Irak.

Izzat Ibrahim al-Duri ishte prej vitit 1967 pjesë e partisë Bath, që sundoi në Irak deri në futjen e forcave amerikane.

Në fakt, partia Baath po ashtu ka njoftuar për vdekjen e Komandantit të Revolucionit dhe nënpresidentit irakian deri në vitin 2003.

Lajme për vdekjen e Izzat Ibrahim al-Durit janë dhënë edhe më herët, por ato ishin përgënjeshtruar nga partia Baath dhe anëtarë të ish-regjimit.

Pas vitit 2003, anëtarët e Baathit patën rol kyç në kryengritjen kundër forcave amerikane. Më vonë edhe u bashkuan me ISIS-n, formacion që u mposht në Irak në vitin 2017.