Botë

Rriten rastet asimptomatike me COVID-19 në Kinë

Kina ka raportuar shifra të reja të personave asimptomatikë që janë infektuar së fundmi me koronavirus.

Autoritetet kanë thënë se gjatë së dielës kanë regjistruar 137 raste asimptomatike në një fabrikë prodhuese të veshjeve, në rajonin veriperëndimor të Xinjiangut.

E infektuara e parë në këtë fabrikë është një 17-vjeçare ndërsa nuk dihet se si erdhi deri tek infektimi i saj. Agjencia e lajmeve Xinhua ka shkruar se rastet e reja lidhen me një fabrikë tjetër veshjesh, ku punojnë prindërit e vajzës. Megjithatë, prindërit kishin rezultuar negativë në testin për COVID-19, shkruan Reuters.

Infektimi i saj është zbuluar gjatë provave rutinore në Xinjang, dhe pas këtij evidentimi, janë testuar edhe pjesëtarët e tjerë te stfit. Numri i infeksioneve të reja pa simptoma apo asimptomatike po cilësohet si më i larti që kur Kina filloi të raportonte për numrin ditor, nga 1 prilli.

Ndërkohë, Kina ka marrë vendim për testimin e tërë qytetit pas shpërthimit të koronavirusit në provincën Xinjiang.

Deri më tani raportohet se janë testuar rreth 4.7 milionë banorë. Kina ka qenë e suksesshme në uljen e numrit të të infektuarve ndërsa së fundmi ka pasur një “shpërthim” të lehtë të virusit.