Botë

Vendoset orë policore në Athinë dhe qytete tjera greke

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis njoftoi se në Athinë, Selanik dhe në qytete të tjera do të vendoset ora policore, me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejmë të koronavirusit.

“Ne kemi për qëllim që të zvogëlojmë qarkullimin dhe tubimet gjatë natës, që favorizon përhapjen e virusit”, tha Mitsotakis, gjatë një adresimi televiziv, ku njoftoi se veshja e maskave do të bëhet e obligueshme edhe në hapësirat e brendshme por edhe të jashtme, në qytetet më të goditura nga virusi.

“Maska është vaksinë, derisa të zbulohet vaksina” për koronavirusin, tha kryeministri grek.

Ora policore do të hyjë në fuqi ditën e shtunë dhe do të zgjasë nga ora mesnata deri në orën 05:00.

Greqia në 24 orët e fundit ka regjistruar 882 raste të reja me koronavirus dhe 15 viktima.

“Ne kemi parë një rritje të numrit të rasteve të reja ditëve të fundit”, tha Mitsotakis, gjë për të cilën tha se ka ndodhur edhe për shkak të rritjes së testimeve.

Në Greqi, në rajonet veriore të Kozanit dhe Kastorias po aplikohen masa më të rrepta të mbylljes, për shkak të numrit të lartë të infektimeve.

Mitsotakis tha se Greqia po vazhdon ta menaxhojë situatën me koronavirus më mirë se shumë vende të Evropës, por ai shtoi se dëshiron që të ndërmarrë më shumë masa në nivel lokal, për të shmangur një mbyllje të përgjithshme të vendit.

Që prej fillimit të pandemisë, e deri më tani, Greqia ka regjistruar mbi 28 mijë raste dhe rreth 550 të vdekur dhe që nga muaji gusht, në këtë shtet kanë filluar të rriten rastet e reja me koronavirus, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Ndërkaq, Kroacia, Sllovenia dhe Bosnja kanë shënuar rekord ditor të rasteve ne COVID-19, të enjten.