Personat mbi 70 vjet në Suedi dhe grupet tjera që shihen të rrezikuara nga koronavirusi, tash mund të ndjekin direktivat e njëjta si pjesa tjetër e popullatës, thonë autoritetet, raporton BBC.
Suedia më herët kishte këshilluar këto grupe që të evitojnë kontaktet e afërta me njerëzit me të cilët nuk jetojnë.
Por, kreu i shëndetit publik në Suedi ka thënë se vetizolimi ka rënduar rëndë mbi të moshuarit. Shteti nuk ka vendosur masa të ashpëra siç janë vendosur nëpër shtetet tjera në Evropë.
Niveli i infeksionit në Suedi po rritet, por pjesët tjera të Evropës janë të goditura edhe më rëndë.
Në Republikën e Çekisë ka hyrë në fuqi një mbyllje e dytë për të frenuar numrin e lartë të infektuarve.
Belgjika, Holanda, Franca dhe Britania e Madhe po ashtu po regjistrojnë shifra të larta të infeksionit, e po ashtu edhe në shtete tjera.
Me muaj të moshuarit në Suedi dhe grupet tjera të rrezikut ishin këshilluar të evitonin daljet, përfshirë ato në shitore e farmaci.
John Carlson, kreu i Agjencisë së Shendetit Publik në Suedi, ka thënë se rekomandimet kanë ndihmuar që të reduktohet përhapja e virusit në mesin e grupeve më të cenueshme.
Por ai ka shtuar se ka pasur pasoja fizike dhe mentale për këto grupe. Duke marrë parasysh se pandemia është duke zgjatur, ai ka thënë se është e paarsyeshme për ta që të vazhdojnë të mbajnë këtë barrë.
“Do të ketë rrezik për individët. Do të shohim se disa njerëz do të sëmuren, por duhet të gjejmë një balancë”, ka thënë Carlson.
Po ashtu popullata është këshilluar që të evitojë tubimet në masë, të lahen duart vazhdimisht, të mbahet distanca sociale dhe të punohet nga shtëpia nëse është e mundur.
Uppsala, në veri të Stockholmit, është bërë rajoni i parë që ka vendosur masa më të ashpëra të martën, ku janë këshilluar gjithë qytetarët të evitojnë kontaktin fizik me personat që nuk jetojnë.