Botë

Vrasja që thelloi ndasitë mbi identitetin shekullar të Francës

Kishte diçka të fshehur mes turmave të mbledhura përgjatë Francës në fundjavën e fundit.

Demonstrimi dramatik i unitetit kombëtar – pas ekzekutimit me prerje koke të arsimtarit Samuel Paty në periferi të Parisit – e fshihte mospajtimin e rritur në disa pjesë të vendit lidhur me qëndrimin kombëtar rreth shekullarizmit dhe lirisë së shprehjes.

“Vitin e shkuar, një student më kishte thënë se është gjë krejtësisht legjitime që të vritet dikush që nuk i shpreh respekt profetit Muhamed”, ka thënë Fathia Agad-Boudjhalat, një arsimtare e historisë, duke folur për një radiostacion francez. “Krejt kjo buron prej atyre gjërave që ata dëgjojnë nëpër familjet e tyre”.

Fathia i kishte përdorur karikaturat e Profetit Muhamed për vite të tëra, bashkë me ato të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut të tij francez, Emmanuel Macron, me qëllim që t’ua mësonte nxënësve të saj lirinë e shprehjes. Por shumë sosh që janë në profesionin e saj raportojnë për trendët shqetësues të evidentuar mes një shumice të konsiderueshme të nxënësve, të cilët kanë qëndrime thellësisht përplasëse me ligjet dhe vlerat franceze.

Mst: “E merituan”

Shekullarizmi shtetëror – apo laicizmi – është esencial për identitetin kombëtar të Francës. Është po aq i rëndësishëm sa vetë koncepti “liri, barazi, vëllazëri”, që është dhe motoja e Francës së pasrevolucionit.

Laiciteti dekreton që hapësirat publike – qofshin ato klasa shkollore, vende të punës apo ministri – duhet të jenë të shkëputura prej fesë. Cungimi i lirisë së shprehjes për mbrojtjen e ndjenjave të një komuniteti të caktuar e minon unitetin e vendit, thuhet në aktin më të lartë ligjor të vendit.

Mirëpo, ka përherë e më shumë dëshmi se gjithnjë e më shumë njerëz në Francë nuk ndihen rehat me këtë argument dhe duan që kufijtë ndarës midis shekullarizmit dhe lirisë së shprehjes të ndryshojnë.

Sipas Michaël Prazan, një ish-arsimtar, kjo pakënaqësi ka nisur të rritet në fillim të viteve 2000, kur Qeveria i ndaloi simbolet fetare nëpër shkolla. Asokohe, ai punonte si arsimtar në një lagje të Parisit me shumicë myslimane. Ai beson se arsimtarët nuk kanë reaguar si duhet karshi hendekut në thellim midis tyre dhe disa prej nxënësve të tyre.