Botë

NYT: Trump vazhdon të ketë llogarinë bankare në Kinë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka një llogari bankare në Kinë dhe ka kaluar me vite duke ndjekur projektet biznesore në këtë shtet, raporton “The New York Times”.

Xhirollogaria kontrollohet nga Trump International Hotels Management dhe janë paguar tatime në Kinë mes viteve 2013 dhe 2015.

Është hapur për “të eksploruar për ndonjë marrëveshje potenciale për hotele në Azi”, ka thënë një zëdhënës i Trumpit.

Trump ka qenë kritik ndaj firmave amerikane që po bëjnë biznes në Kinë dhe ka hapur një luftë të tregëtisë mes dy shteteve.

“NYT” ka zbuluar xhirollogarinë e Trumpit pasi ka marrë bilancin tatimor të Trumpit, përfshirë detaje financiale personale dhe të kompanisë.

Gazeta amerikane më herët kishte raportuar se Trump ka paguar vetëm 750 dollarë në taksa federale mes vitit 2016 dhe 2017, kur u bë president.

Ndërkohë nga xhirollogaria kineze janë paguar 188.561 dollarë taksa lokale.

Trump ka qenë kritik ndaj rivalit të tij për zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 3 nëntor, Joe Bidenit, për politikat e ti ndaj Kinës.

Administrata e Trumpit ka shënjestruar të birin e Bidenit, Hunterin dhe ka bërë komente për marrëveshjet e tij me Kinën.

Avokati i Trump Organisation, Alan Garten, e ka përshkruar storien e NYT si spekulim i pastër.

Ai i ka thënë gazetës se Trump International Hotels Management ka “hapur një llogari me një bankë kineze që ka zyrat në SHBA për të paguar taksat lokale. Ai ka thënë se nuk është bërë asnjë marrëveshje, transakcion apo aktivitet tjetër biznesor, dhe që nga viti 2015, selia mbetet joaktive. Ndonëse llogaria bankare mbetet e hapur nuk është përdorur për asnjë qëllim më”.

NYT ka raportuar se Trump ka llogari në banka të huaja në Kinë, Britani të Madhe e Irlandë.

Në gusht, Trump kishte thënë se dëshiron të ofrojë lehtësime tatimore për të joshur firmat amerikane që të zhvendosin fabrikat nga Kina.

Ai po ashtu ka kërcënuar se do t’ua anulojë kontratat qeveritare firmave që vazhdojnë të punojnë në Kinë. Ai në fjalimin e tij ka premtuar të krijojë 10 milionë vende pune për dhjetë muaj.

Por, NYT raporton se si Trump ka shikuar për të bërë biznes në Kinë. Tentimet e tij janë intensifikuar me hapjen e një zyre në Shanghai në vitin 2012.

Në të dhënat tatimore duket se ai ka investuar së paku 192 mijë dollarë në pesë kompani të vogla të krijuara veçanërisht për projekte në Kinë gjatë viteve.

Raportimet për taksat e paguara nga Donald Trump në Kinë kanë ngjallë reagime për kënaqësinë e përdoruesve kinezë në rrjetet sociale.

Ata i janë referuar Trumpit si “Comrade Trump” në rrjetin social Weibo.

Ata kanë bërë shaka duke thënë se Trump po paguan anëtarësimin e tij në partinë komuniste dhe se Kina kurrë nuk do ta harrojë kontributin e tij.

Por shumë janë tallur se Trump ka paguar qindëramijëra dollarë te Kina e shumë pak taksa në SHBA.