Botë

E fejuara e Khashoggit inicion proces gjyqësor ndaj princit saudit

E fejuara e Khashoggit inicion proces gjyqësor ndaj princit saudit

Hatice Cengiz, e fejuara e gazetarit dhe disidentit të vrarë saudit, Jamal Khashoggi, ka iniciuar të martën proces gjyqësor para Gjykatës së Qarkut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër princit saudit, Mohammed Bin Salman, dhe disa zyrtarëve të tjerë të vendit. Cengiz dhe një grup për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilin Khashoggi e themeloi para vdekjes së tij, kanë iniciuar rastin në gjykatën e Washingtonit dhe në shënjestër të saj janë Bin Salman dhe mbi 20 zyrtarë të Arabisë Saudite, shkruan Al Jazeera. 

“Torturimi brutal dhe vrasja e Khashoggit kanë shokuar ndërgjegjen e njerëzve kudo nëpër botë”, thuhet në dokumentin e dorëzuar në gjykatë, ka raportuar agjencia turke e lajmeve “Anadolu”. Në këtë dokument pretendohet, gjithashtu, se vrasja ka pasur për synim heshtjen e Khashoggit, i cili ka qenë avokat i të drejtës në SHBA. “Kjo vrasje është kryer me urdhrin e princit saudit, Mohammed bin Salman. Të akuzuarit i kanë parë veprimet e Khashoggit në SHBA si kërcënim ekzistencial për interesat e autoriteteve”, kanë bërë të ditur paditësit. Nga vrasja misterioze e gazetarit Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll kanë kaluar plot dy vjet, ndërsa të dyshuarit kryesorë kurrë nuk janë përgjigjur për veprën e kryer.