Botë

Që nga fillimi i pandemisë, 100 mijë banorë të Kalifornisë pajisen me armë

Më shumë se njëqind mijë banorë të Kalifornisë kanë blerë armë që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit. Gjysma e blerësve janë pronarë për herë të parë të armëve, duke nxitur frikë për rrezikun e vetëvrasjes dhe lëndimeve aksidentale, transmeton KOHA.

Këto deklarime i kanë bërë studiuesit e Universitetit të Kalifornisë. Ndër shkaqet e pajisjes me armë, blerësit thonë se janë trazirat civile, rëniet ekonomike dhe lirimet e mijëra personave nga burgjet e shtetit.

“Njerëzit kanë frikë nga të panjohurat me zgjedhjet, protestat dhe koronavirusi. Por ne duhet të flasim për rreziqet që lidhen me armët e zjarrit në shtëpi”, ka thënë Brian Malte, drejtori ekzekutiv i një organizatë që merret me parandalimin e dhunës me amë. “Ju mund të blini armë zjarri, por kjo nuk do të thotë që ju e dini sesi ta përdorni atë”, ka shtuar ai, shkruan The Guardian.

Ekspertët tutje kanë ngritur shqetësime se blerjet e armëve, që vijnë si shkak i pandemisë së koronavirusit dhe izolimit, mund të çojnë në rritje të vetëvrasjeve.

Që nga marsi, FBI-ja ka raportuar një numër të lartë të kontrolleve të armëve të zjarrit që kalojnë nëpër sistemin e tij. Sipas Fondacionit Kombëtar të Sporteve për Qitje, deri në gushtin e këtij vitit, kishte pesë milionë blerës të armëve në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.