Botë

Protesta në Çeki ndaj masave anti-COVID

Në Pragë, më tepër se 2000 tifozë sportivë, përfshirë edhe tifozë ultras të futbollit, kanë protestuar kundër masave anti-COVID, duke mosrespektuar masën e ndalimit të tubimeve, njofton agjencia Reuters.

Policia ka përdorur gazlotsjellës e po ashtu edhe kamiona me ujë pas përleshjeve. Janë raportuar së paku nëntë të lënduar.

Në Çeki po vazhdon shtimi i rasteve me koronavirus. Janë regjistruar mbi 100 mijë raste në pak më tepër se një muaj, duke çuar shifrën totale në 171.487. Shifrat totale të vdekurve kanë arritur në 1402.

Çekia ka nivelin më të lartë të infeksionit në Evropë. Por autoritetet kanë thënë se do të presin së paku edhe dy javë për të vendosur nëse do të shkojnë me mbyllje totale.

Në javën e kaluar restorantet e baret në Çeki janë mbyllur, duke lejuar vetëm shërbimin “merre me vete”, dhe shkollat kanë kaluar në mësim në distancë. Sporti, klubet e fitnesit, teatrot dhe kinematë janë mbyllur, por shitoret kanë mbetur hapur.

Qendra Evropiane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjes ka njoftuar se Çekia ka regjistruar 828 raste për 100 mijë banorë në dy javët e fundit, dhjetëfishë më e lartë se Gjermania fqinje.

Që kur shkollat u rihapën në shtator, shifrat e rasteve janë rritur dukshëm.

Spitalet kanë filluar të ngarkohen dukshëm.

“Ne nuk do të vendosim këtë javë për mbylljen. Do të presim deri më 2 nëntor”, ka thënë zëvendëskryeministri i Çekisë, Karel Havlicek.