Botë

Zvicra shtrëngon masat kundër koronavirusit

Zvicra të dielën ka vendosur masa të reja për të parandaluar rritjen e mëtejme të rasteve me koronavirus. Shteti ka bërë obligative bartjen e maskave dhe ka ndaluar tubimet në masë.

Tubimet me më shumë se 15 persona në publik do të ndalohen nga e hëna dhe maskat duhet të barten në të gjitha zonat e mbyllura publike.

Maskat duhet të barten edhe në stacione treni, aeroporte, e stacione autobusi. Obligimi për maska duhet të respektohet edhe në dyqane, kinema e kisha.

“Rritja e ndjeshme e rasteve pozitive në ditët e fundit është shqetësuese. Është e qartë në të gjitha grupmoshat dhe në të gjitha kantonet. Numri i rasteve të njerëzve që po kërkojnë trajtim është rritur po ashtu”, ka njoftuar Qeveria e shtetit me 8.6 milionë banorë, raporton Reuters.

Të premten Zvicra regjistroi ditën më të rëndë deri tash, me 3105 raste pozitive. Deri tash në këtë shtet janë regjistruar 74 mijë e 422 raste, ndërsa 1823 persona kanë humbur betejën me virusin.