Botë

Vazhdon të rritet numri i viktimave në luftimet në Nagorno-Karabakh

Descriptive Text

Luftimet mes forcave të Azerbajxhanit dhe Armenisë në dhe rreth rajonit Nagorno-Karabakh kanë vazhduar edhe sot, ndërsa SHBA-ja, Franca e Rusia, pritet të takohen në Gjenevë për të tentuar të shmanget një luftë më e gjërë në Kaukazin Jugor, shkruan agjencia Reuters.

Azerbajxhani ka thënë se qyteti Ganja është bombarduar të enjten nga forcat armene duke shkaktuar vdekjen e një civili në rajonin Goranboy. Po ashtu është shtënë edhe në fshatra tjera. Azerbajxhani ka thënë se 30 civilë kanë vdekur që kur shpërthyen luftimet më 27 shtator në Nagorno-Karabakh, një enklavë që i takon Azerbajxhanit sipas ligjit ndërkombëtar, por qeveriset nga armenët.

Azerbajxhani po ashtu ka thënë se janë lënduar edhe 143 civilë, ndërsa nuk ka njoftuar për viktimat në mesin e ushtarëve. Nagorno-Karabakhu ndërkohë ka thënë se në territorin e vet kanë vdekur edhe 30 ushtarë, duke e çuar shifrën totale në 350.

Luftimet mes Azerbajxhanit e Armenisë janë më të ashpërat në 25 vjetët e fundit. Armenia sot ka shkarkuar kreun e Shërbimit të Sigurisë Nacionale, Argishti Kayaramyan, me dekret presidencial.
Shkarimi i tij vjen pas luftimeve në Nagorno-Karabakh.

Është raportuar ndërkohë për një armëpushim të planifikuar në Nagorno-Karabakh nga sot, por kjo është mohuar nga Nagorno Karabakh.