Organizata neo-naziste “Agimi i artë” është shpallur organizatë kriminale, kurse krerët e saj janë dënuar për udhëheqje të lëvizjes kriminale. Kështu ka vendosur sot Gjykata e Apelit në Athinë.
Sipas BBC-së, pas procesit gjyqësor që zgjati më shumë se pesë vjet, janë dhënë dënimet për 68 anëtarë të “Agimit të artë”, që dikur ishte edhe grup parlamentar në Greqi.
Gjatë seancës përfundimtare, rreth 15.000 qytetarë ishin mbledhur para gjykatës në Athinë. Një grup i vogël hodhi edhe kokteje molotovi dhe gurë në drejtim të Policisë, e cila po kujdesej për objektin. Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji.
Më pas rreth 2.000 policë rrethuan objektin e Gjykatës së Apelit.
Mijëra qytetarë kërkuan dënime me burgim të gjatë. Ata mbanin edhe transparente me mbishkrimet, si: “Frika nuk do të fitojë” dhe “Nazistët në burg”.
Në momentin që u mësua lajmi për dënimin e anëtarëve të “Agimit të artë”, shpërtheu festa te protestuesit.
“Agimi i artë” në zgjedhjet e vitit 2012 kishte fituar 18 mandate në parlamentin e Greqisë, në kohën kur grekët po luftonin me krizën e madhe financiare. Një vit më vonë, nisi hetimi penal kundër anëtarëve të organizatës, pas vrasjes së reperit anti-fashist, Pavlos Fyssas.
Udhëheqësi i “Agimit të artë” Nikos Michaloliakos dhe gjashtë kolegë të tij janë dënuar për udhëheqje kriminale të organizatës. Njeriu i afërt me grupin, Giorgos Raupaikas është shpallur fajtor se me thikë kishte vrarë reperin, derisa 15 të tjerë janë dënuar për mashtrim në këtë proces. Kohëzgjatja e dënimeve nuk është bërë e ditur.
Gjykata ka vendosur që shtatë prej 18 ish-deputetëve nga kjo organizatë, përfshirë liderin Michaloliakos, janë fajtorë për udhëheqje kriminale të organizatës, derisa të tjerët fajtorë për pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Hetimet fillestare kanë treguar se organizata ka vepruar si grup para-ushtarak.