Pak orë para se Shtetet e Bashkuara të kalonin shifrën e 200 mijë të vdekurve nga koronavirusi, presidenti Donald Trump doli në skenë për ta zbehur rrezikun e pandemisë.
Në fushatën e së hënës, Trumpi ngjalli pakënaqësi të mëdha kur tha se koronavirusi prek vetëm të moshuarit dhe ata që kanë probleme me zemër, transmeton KOHA.
Ai gjithashtu tha një deklaratë të pasaktë se të rinjtë janë imunë ndaj koronavirusit.
Mirëpo, e vërteta është ndryshe.
Nuk është e vërtetë se virusi prek vetëm të moshuarit me probleme të zemrës apo probleme të tjera. Gjithashtu, nuk është aspak e vërtetë se me virus nuk infektohet askush.
Komentet e presidentit injorojnë paralajmërimet e zyrtarëve të shëndetit publik se sa infektues është koronavirusi.
Edhe nëse njerëzit infektohen dhe nuk u përkeqësohet gjendja, kanë gjasa që ta bartin virusin te të tjerët që mund të jenë në rrezik edhe më të madh.
Studimet e fundit kanë treguar se infektimi me virus mund të zgjasë me javë të tëra.
Deri më 16 shtator, njerëzit nën moshën 65-vjeçare janë përgjegjës për shumicën e rasteve me virus dhe për 20 për qind të vdekjeve.
Të moshuarit mbi moshën 65-vjeçare përfaqësojnë vetëm 15 për qind të rasteve.
Të rinjtë, madje edhe të shëndetshëm, kanë vdekur nga koronavirusi.
Derisa fëmijët e infektuar kanë më pak gjasa të kenë simptoma, ekspertët e shëndetit publik kanë bërë thirrje që rastet e fëmijëve duhen të merren seriozisht.
Sistemi i imunitetit nuk mbron gjithmonë nga efektet afatgjate të virusit, siç janë problemet me frymëmarrjen, lodhja, kolli i gjatë dhe humbja e shijes.