17:09

Armëpushimi në Nagorno-Karabakh përplas Turqinë me Francën, Rusinë dhe SHBA-në

Presidentët e Francës, Rusisë dhe SHBA-së kanë bërë thirrje për armëpushim ndërmjet forcave të Azerbajxhanit dhe Armenisë në Nagorno-Karabakh, të enjten, por Turqia ka thënë se tri fuqitë e mëdha nuk duhet të kenë rol në lëvizjet për paqe.

Ato kanë apeluar për paqe teksa rastet e vdekjeve kanë shënuar numrin më të rëndë që nga viti 1990.

“Thërrasim palët luftuese që të zbatojnë një armëpushim të menjëhershëm”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Francës, Rusisë dhe SHBA-së.

Por në një fjalim para parlamentit turk, presidenti Tayyip Erdogan ka thënë se e kundërshton ndërhyrjen e tyre.

“Duke qenë se SHBA-ja, Rusia dhe Franca kanë neglizhuar këtë problem për gati 30 vjet, është e papranueshme që ata të përfshihen në kërkesë për armëpushim”, tha Erdogan.

Ai ka shtuar se një armëpushim afatgjatë mund të arrihet vetëm nëse “okupatorët armenë” do të tërhiqen nga Nagorno-Karabakh.

Komentet e tij me shumë mundësi mund të ngrisin tensione mes aleatëve të NATO-s, derisa ngritet frika se konflikti mund të përfshijë Rusinë e cila ka një bazë ushtarake në Armeni dhe Turqinë, një aleat i afërt me Azarbajxhanin.

Dhjetëra njerëz janë raportuar të vrarë dhe qindra të tjerë të lënduar që nga e diela në luftimet mes dy vendeve.

09:15

Putini e Macroni bëjnë thirrje për armëpushim në Nagorno Karabak

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron, bënë thirrje për armëpushim midis forcave të Azerbajxhanit dhe atyre armene, të cilat janë duke luftuar rreth rajonit të kontestueshëm të Nagorno Karabakut.

Kremlini tha të enjten se dy presidentët diskutuan përmes telefonit përpjekjet diplomatike për të shtensionuar situatën.

“Vladimir Putin dhe Emmanuel Macron u bëjnë thirrje palëve luftuese që të zbatojnë një armëpushim të menjëhershëm dhe të plotë, të ulin tensionet dhe të tregojnë përmbajtje maksimale”, thuhet në deklaratën e Kremlinit.

Luftimet në Nagorno Karabak - më të rëndat në vitet e fundit - kanë nisur fundjavën e kaluar. Më shumë se 100 njerëz janë raportuar të vrarë.

Zyrtarisht pjesë e Azerbajxhanit, Nagorno Karabaku qeveriset nga armenët etnikë.

Dy republikat sovjetike kanë zhvilluar një luftë për territorin më 1988-1994, e cila ka lënë rreth 30,000 njerëz të vrarë.

Është e paqartë se çfarë i ka shkaktuar luftimet e fundit.

Forcat e Azerbajxhanit dhe ato armene u zotuan se do t’i vazhdojnë luftimet, duke rritur shqetësimet për një luftë në shkallë të plotë.