Botë

120 milionë teste të shpejta për COVID-19 do t’u shpërndahen shteteve të varfra

Rreth 120 milionë teste rapide për COVID-19 do të vihen në dispozicion të shteteve me të hyra të ulëta dhe mesatare gjatë një periudhe gjashtëmujore dhe ato do të kenë çmimin maksimal prej 5 dollarësh për njësi, ka njoftuar Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Qasja më e gjerë në testet më të shpejta, të sigurta dhe të lira do t’i ndihmojë më se 133 shtete të botës në gjurmimin e infeksioneve dhe frenimin e përhapjes së rasteve me koronavirus.

Drejtori i OBSH-së, Tedros Adanom Gjebrejesus, ka bërë të ditur se dy prodhuesit kryesorë të testeve janë pajtuar që në bashkëpunim me Fondacionin “Bill & Melinda Gates” të “prodhojnë 120 milionë teste të reja rapide për diagnostikimin e COVID-19 brenda gjashtë muajsh”.