Botë

Serbët në Mal të Zi dalin në det, marrin ‘kalanë’ e Budvës

Descriptive Text

Ish-opozita proserbe tashmë mazhorancë parlamentare në Mal të Zi, përveç marrjes së qeverisë, tashmë ka siguruar dhe kontrollin e qytetit më të rëndësishëm të vendit, duke dalë në bregdet - Budva.

Siç bën të ditur portali i Kremlinit Sputnik, kreu i Listës së koalicionit më të madh fitues, "Për të ardhmen e Malit të Zi", Zdravko Krivokapiq, mori pjesë në kremtimin e organizuar me rastin e zgjedhjes së Marko Careviqit si kryetar të komunës së Budvës.

Gjatë kremtimit, të organizuar në lokalin e Careviqit, u këndua kënga e famshme serbe “Tamo Daleko”(Atje larg), një këngë nacionaliste serbe nga koha e Luftës së Parë Botërore, ku trupat e Karagjorgjeviqit me ndihmën e Esat Pashë Toptanit kaluan nga Shqipëria e shkuan në Korfuz për të shpëtuar nga ushtria austro-hungareze, që kishte pushtuar Beogradin.

Priftërinjtë e Mitropolisë së Kishës Serbe të Malit të Zi me këtë rast shenjtëruan ndërtesën e komunës së Budvës me anë të një ceremonie fetare.

Marko Careviq (në foto), që thirret me nofkën Bato, është një milioner, biznesmen ndërtues, serb i lindur në Kotorr, që është edhe president i ekipit të futbollit OFK Grbal të Kotorrit dhe ka shërbyer si kryetar i komunës së Budvës dhe një vit më parë. Në Mal të Zi kreu i komunës nuk zgjidhet direkt, por nga këshilli. Mbi Baton ka disa procese të nisura për korrupsion dhe abuzime me tenderët publikë.

"Për mua është një përgjegjësi e madhe të punoj në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve për katër vitet e ardhshme, dhe çdo ditë do të përpiqem të justifikoj besimin e madh që u tregua për mua nga zgjedhjet”, tha Bato.