Botë

Një zyrtar jugkorean vritet nga trupat e Koresë së Veriut

Descriptive Text

Një zyrtar jugkorean është qëlluar për vdekje dhe është djegur më pas nga trupat ushtarake të Koresë së Veriut, është njoftuar nga ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut, raporton BBC.

Ministria e ka dënuar këtë akt të cilin e ka quajtur brutal. Seuli ka thënë se personi është zhdukur nga një anije patrulluese në afërsi të kufirit dhe më pas është gjetur në ujërat e Veriut.

Ushtarët nga Korea e Veriut e kanë qëlluar për vdekje më pas, dhe e kanë djegur trupin e tij, thuhet nga Minisria. Është ardhur deri te ky përfundim pas analizave nga inteligjenca jugkoreane.

Pyongyangu nuk ka komentuar rastin.

Korea e Veriut ka forcuar kufijtë dhe mendohet se ka vendosur rregullin për të vrarë ata që hynë ilegalisht për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Zyrtari, që ka punuar në departamentin e peshkimit, ishte në anije patrulluese rreth 10 kilometra nga kufiri me Veriun, në afërsi të ishullit Yeonpyeong, kur u zhduk të hënën, është thënë nga Ministria e Brendshme e Koresë së Jugut.

47-vjeçari babai i dy fëmijëve kishte lënë këpucët në anije. Besohet se kishte tentuar të ikte. Një anije patrulluese e Koresë së Jugut e kishte gjetur atë, me një jelek shpëtimi, në det rreth orës 15:30 me kohë lokale të martën, ka shtuar Seuli.

Kishin vendosur maskat e gazit dhe e kishin marrë në pyetje nga distanca, para se të vinte urdhri nga një autoritet i lartë për të vrarë atë. Ai u qëllua në ujë.

Trupat e Koresë së Veriut më pas e dogjën trupin derisa ishte në det, është thënë nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të Koresë së Jugut, duke thënë se besojnë se ishte një masë kundër koronavirusit.

Korea e Jugut ka dënuar fuqishëm këtë akt brutal dhe i ka bërë thirrje Veriut që ta shpjegojë rastin dhe të ndëshkojë fajtorët.

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, e ka quajtur të pafalshme dhe shokuese këtë vrasje.