Ministri britanik i Ambientit, Michael Gove, ka bërë thirrje te punëtorët se të gjithë ata që “mund të punojnë prej shtëpisë”, do të ishte mirë të mos paraqiten fare në punë.
Kjo thirrje e tij vjen si kërkesë për ta zvogëluar turmën e për ta ngadalësuar përhapjen e COVID-19.
Por kryeministri britanik, Boris Johnson, më herët e kishte thënë të kundërtën.
Ai tha se njerëzit duhet të “fillojnë të kthehen në punë nëse munden”.
Muajin e kaluar, qeveria britanike nisi një fushatë për t’i inkurajuar punëtorët të kthehen në zyra.
Në anën tjetër, ministri Gove tha për BBC Radio 4 se “Nëse punëtorët mund të punojnë nga shtëpia është më mirë”.
“Ne po e theksojmë se nëse je në një vend të sigurt nga COVID-19 dhe ta kërkon puna të jesh prezent atëherë bëje. Por nëse mund të punoni nga shtëpia, bëjeni”, u shpreh ai.
Në Britaninë e Madhe, së shpejti me një vendim të ri pritet të mbyllen baret, restorantet e shumë fusha tjera prej orës 22:00.
