Fondi sovran rus do të eksportojë 100 milionë doza të vaksinës potenciale për COVID-19 te gjiganti farmaceutik i Indisë, “Dr Reddy’s Laboratories”, ka njoftuar fondi të mërkurën, raporton agjencia Reuters.
Marrëveshja për vaksinën “Sputnik-V” është arritur pasi Fondi për Investime Direkte i Rusisë (RDIF) ka arritur marrëveshje me prodhuesit në Indi për të prodhuar 300 milionë doza të vaksinës në Indi.
Marrëveshja e re sjellë në mbi 200 milionë doza numrin total të vaksinave që Rusia do t’i eksprtojë. Gjysma e tyre do të transportohen në Amerikën Latine. RDIF ka thënë se ka marrë kërkesa për një shifër totale prej një miliard dozave.
Dorëzimi i vaksinave në Indi mund të fillojë nga fundi i këtij viti.
Faza III e testimit të vaksinës, ku do të përfshihen së paku 40 mijë persona, po vazhdon në Rusi. Rezultatet fillestare pritet të dalin në tetor apo nëntor, ka thënë kreu i RDIF-it, Kirill Dmitriev.
Kompania farmaceutike e Indisë, “Dr Reddy’s Laboratories”, do të merret po ashtu me testimin klinik të Fazës III të vaksinës Sputnik-V.
India ka thënë se po e shqyrton mundësinë që të jap një autorizim emergjent për vaksinën për koronavirus, veçanërisht për të moshuarit dhe personat që janë në vende pune me rrezik të lartë.
Ndërkohë është raportuar edhe se në Turqi ka filluar Faza III e testimit të vaksinës kineze për COVID-19. Është thënë se rezultatet e para nga Faza III e testimit të kësaj vaksine në Emiratet e Bashkuara Arabe janë premtuese.