Botë

Rusia thotë se përcilli bombarduesin amerikan mbi Detin Baltik

Rusia thotë se njëri prej aeroplanëve të saj luftarakë e ka interceptuar një bombardues të Shteteve të Bashkuara, që fluturonte afër kufirit rus në Detin Baltik.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, më tutje, ka kumtuar se aeroplani luftarak rus, i tipit Su-27, është dërguar në hapësirë sot në mëngjes, pasi radari rus ka detektuar se një aeroplan po fluturonte përgjatë kufirit të Rusisë mbi ujërat ndërkombëtarë të Detit Baltik, transmeton rel.

Aeroplani ishte identifikuar si bombardues strategjik amerikan, B-52, dhe ishte përcjellur derisa e kishte marrë kursin më larg nga kufiri rus.

Kjo përcjellje e aeroplanëve luftarakë po bëhet në periudhën kur raportet ndërmjet Moskës dhe perëndimit kanë arritur në pikën më të ulët të paparë prej Luftës së Ftohtë, për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Moskës në vitin 2014, për mbështetjen e Moskës ndaj separatistëve në pjesën lindore të Ukrainës dhe për çështje të tjera.

Në muajin maj, ushtria e Shteteve të Bashkuara pat njoftuar se aeroplanët e saj i ineterceptuan dy aeroplanë rusë të tipit Tu-95, bombardues me kapacitet atomikë, që fluturonin së bashku me dy aeroplanë luftarakë afër bregdetit të Alaskës.

Po ashtu, në muajin shtator, një aeroplan luftarak rus fluturoi afër një aeroplani vëzhgues të Marinës së Shteteve të Bashkuara, ndërsa zyrtarët amerikanë vlerësuan se ky ishte një afrim i rrezikshëm mbi Detin e Zi.