Numri i vdekjeve në Turqi ka shënuar rritje që nga mesi i Majit, kur në vend kishte ende masa të izolimit, dhe numri i rasteve të reja deri në mesin e qershorit shkoi në pothuajse 1.600.
Ankaraja më së shumti hapi ekonominë, liroi vikendet dhe moshat specifike nga izolimi në fillim të qershorit.
Numri i rasteve të reja me COVID-91 u rrit për 1.596 duke e çuar totalin në 273.301 në 24-orët e fundit, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërkaq numri i vdekjeve u rrit për 45, duke çuar totalin në 6.462. Shifrat tregojnë për 246.876 të shëruar, shkruan Reuters, transmeton KOHA.
Duke folur pas takimit me ekipin shkencor për koronavirus, ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca tha se kryeqyteti Ankaraja ka parë rritjen më të shpejtë të numrit të rasteve së voni, gjithashtu u dyfishuan rastet në Stamboll.
“Jemi duke shkuar drejtë kulmit të dytë të valës së parë të koronavirusit. Pakujdesia në dasma dhe pushime na ka sjellë në këtë pikë”, tha Koca duke shtuar se nuk e kanë në agjendë rikthimin e masës së izolimit.
“Infektimi është duke vazhduar. Virusi është duke u shpërndarë më shumë tek njerëzit çdo ditë e më shumë. Numri i testimeve është duke u rritur çdo ditë, numri i pacientëve nuk është duke rënë”, ka thënë ai, duke shtuar se 29.865 punëtorë shëndetësorë janë infektuar, dhe 52 kanë vdekur.
Mjekët dhe grupet mjekësore kanë paralajmëruar kohëve të fundit se spitalet janë të mbushura me pacientë të infektuar.