Zyrtarët palestinezë dhe qytetarët, në përgjithësi nuk mendojnë se ndonjëri kandidat presidencial, si republikani Donald Trump ashtu edhe demokrati Joe Biden, do të ndërrojnë thellësisht politikën amerikane, e cila e ka favorizuar Izraelin me vite, raporton TheJerusalemPost të mërkurën.
Gati se të gjithë palestinezët, thonë se nëse Trumpi i fiton zgjedhjet e nëntorit, ai do të vazhdojë ta mbështesë kryeministrin Benjamin Netanyahu. Por, ata parashikojnë se nëse Biden futet në Shtëpinë e Bardhë, do të punojë me një sjellje më diplomatike mes palestinezëve dhe izraelitëve, që do t’i japë më shumë kohë kauzës palestineze.
Nabil Shaath, Këshilltar i Marrëdhënieve Ndërkombëtare i presidentit Mahmoud Abbas, thotë se strategjia amerikane për Lindjen e Mesme, sidomos lidhjet me Izraelin si aleat, nuk do të ndryshojnë pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet, republikanët apo demokratët.
“Ata e mbështesin Izraelin në shumë mënyra dhe e përdorin atë, që ta mbajnë kontrollin e tyre në rajon, ku të dy partitë kanë interes”, thotë ai.
Pavarësisht kësaj, ai theksoi se Trump është më i keq për kauzën palestineze, pasi projektet e prioritetet e tij ishin të rrezikshme.