Botë

Qiproja u shiti pasaporta kriminelëve dhe të arratisurve

Descriptive Text

Mashtrues të dënuar, shpëlarës parash dhe figura politike të akuzuara të korrupsion janë mes dhjetëra personave nga më shumë se 70 shtete të botës që kanë blerë të ashtuquajturat “pasaporta të arta” nga shteti i Qipros, ka treguar të dielën një dëng i dokumenteve zyrtare të siguruar nga njësia hulumtuese e agjencisë “Al-Jazeera”.

“Dokumentet e Qipros” shpërfaqin rrjedhjen e informatave lidhur me më se 1.400 aplikacione për pasaporta të aprovuara nga Qeveria e shtetit ishullor ndërmjet viteve 2017 dhe 2019, dhe ngrenë pikëpyetje të shumta lidhur me Programin e Investimeve të Qipros.

Pasaportat e anës greke të ishullit të ndarë mund të jenë të rëndësishme për individët nga shtetet që kanë qasje të kufizuar në Evropë, pasi që Qiproja është një anëtare e Bashkimit Evropian dhe pasaporta e saj u ofron poseduesve të tyre udhëtim të lirë, qasje në punë dhe banka të të gjitha 27 vendeve anëtare të bllokut.

Gjatë ditëve në vijim, “Al-Jazeera” do të zbulojë identitetet e dhjetëra personave që kanë siguruar shtetësinë qiprote dhe të cilët, sipas vetë rregullave të shtetit, në shumë raste nuk kanë marrë një pasaportë.

Rrezik sigurie

Për të aplikuar për një pasaportë qipriote, aplikuesit duhet të investojnë të paktën 2.15 milionë euro në ekonominë e Qipros, kryesisht nëpërmjet blerjes së patundshmërive dhe duhet të kenë po ashtu dosjen e pastër kriminele.

Megjithëkëtë, aplikuesit i sigurojnë dëshmitë e nevojshme ligjore për pranueshmërinë e tyre dhe, ndonëse Qiproja ka pretenduar se do të kontrollojë prapavijën e aplikuesve, dokumentet e siguruara nga “Al-Jazeera” dëshmojnë se një gjë e tillë jo gjithmonë ka ndodhur.

Që nga fillimi më 2013, programi është ballafaquar me kritikat e vazhdueshme të BE-së, e cila ka bërë thirrje për mbylljen e tij.

“Është shumë e vlefshme për këdo që vjen prej një shtet, ku janë të përfshira shumë para të pista”, ka thënë deputeti gjerman, Sven Giegold, një kritik i ashpër i programit. “E hapni një xhirollogari bankare, krijoni një marrëdhënie afariste dhe ju shtrohen më pak pyetje, nuk keni nevojë për viza, keni qasje më të lehtë për të shkuar në udhëtime kudo po qe se jeni nga Rusia, Kina apo nga cilido shtet i dyshimtë”.

Që nga viti 2003, kur u iniciua programi i pasaportave, vendi ka siguruar më shumë se 7 miliardë euro, të përdorura për ta mbajtur në funksion ekonominë në rrënim të Qipros.

“Burisma” dhe zyrtarët e “Gazprom”-it

Ndërmjet viteve 2017 dhe 2019, vendet me numrin më të lartë të aplikuesve ishin Rusia, Kina dhe Ukraina. Në mesin e aplikacioneve të aprovuara, të cilat i ka parë “Al-Jazeera”, ishte ajo e magnatit ukrainas Mykola Zlochevsky, pronar i gjigantit energjetik “Burisma”

Kur Zlochevsky e bleu pasaportën e tij qipriote më 2017, ai veçse ishte nën hetime për korrupsion në vendin e tij amë. Në qershorin e 2020-s, prokurorët ukrainas bënë të ditur se atyre u ishin ofruar 6 milionë dollarë në para kesh për të hequr dorë nga hetimet.