Botë

Libani përballet me rritje të rasteve me COVID-19 pas shpërthimit në Bejrut

Foto: AP

Libani po përballet me rritje të rasteve me koronavirus pas shpërthimit shkatërrues që ndodhi më herët gjatë muajit në portin e Bejrutit, e që la qindra të vdekur e mijëra të lënduar. Rreziku ka shtyrë zyrtarët mjekësorë të kërkojnë izolim të plotë dyjavor në përpjekje për të luftuar pandeminë.

Ministri i Shëndetësisë, Hamad Hassan, ka paralajmëruar se numrat e vërtetë të rasteve të reja me COVID-19 mund të jenë shumë më të lartë se ata që paraqiten zyrtarisht.

Pas takimit që kishin pasur të hënën me zyrtarët shëndetësorë që kërkuan izolimin, ministri kishte kërkuar nga të gjithë të bartnin maskën, duke thënë se tani virusi po shpërndahet në çdo qytet dhe fshat të Libanit.

Të enjten, shteti ka regjistruar më shumë se 600 raste të reja në 24 orët e fundit, shkruan AP.

Izolimi ka hyrë në fuqi sot dhe do të zgjasë deri më 6 shtator.

Qendrat tregtare janë mbyllur ndërsa nuk do të lejohen ngjarjet publike apo tubimet në masë.