Botë

Thirrja e Obamas për shpëtimin e demokracisë, kritikë bujëmadhe kundër Trumpit

Nga Philadelphia ku lindi eksperimenti amerikan, një ish-president – në kohën e pikut të shikueshmërisë – iu adresua kombit që dikur e drejtoi, duke paralajmëruar se pasardhësi i tij veç i ka hyrë shtegut të shkatërrimit të vetë demokracisë.

Ishte kjo vazhdimësi e një dueli të kamotshëm mes Barack Obamas dhe Donald Trumpit, që në mënyrë të përkryer ka shfaqur kontrastet në temperamentin personal dhe politik të dy prej banorëve më të përfolur të kësaj epoke të Shtëpisë së Bardhë. Rivaliteti i tyre arriti në një pikë të paprecedent të historisë moderne të presidencës.

Obama serioz dhe intelektual, mbajti një prej ligjëratave më komplekse të Kushtetutës gjatë Konventës virtuale të Partisë Demokratike. Bëri një përmbledhje historike, duke ngërthyer themeluesit dhe lëvizjen për të drejtat civile, pasurinë e emigrantëve amerikanë, dhe të rinjve u bëri thirrje që të nguten për të shpëtuar liritë e tyre, ashtu siç bënë paraardhësit e tyre çdo herë kur premtimi i shtetit ishte në rrezik.

Ndërkohë Trumpi nga Shtëpia e Bardhë postonte në kohë reale mesazhe plot zemërim rreth temave të rrahura në Konventë. Nxiti akuza dhe gënjeshtra që veçse shërbenin si prova bashkëkohore të paralajmërimeve që po bënte paraardhësi i tij në televizion.

Fjalimi bujëmadh

Në vitin 2004, Obama bëri emër me shpresën rioshe, të bollshme dhe ndoshta edhe naive kur mbajti fjalimin në Konventën e Partisë Demokratike. Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, Obama thinjosh bëri thirrje se Amerika duhet të presë nga “presidenti që të jetë gardian i kësaj demokracie”.

“Pavarësisht egos, ambicies ose besimeve politike, duhet të presim nga presidenti që t’i ruajë dhe mbrojë liritë dhe idealet për të cilat shumë amerikanë kanë marshuar dhe janë burgosur ose kanë vdekur”, ka thënë Obama.