Botë

Shërbimi postar i SHBA-së paralajmëron vonesa nëse votohet me postë

Foto: Reuters

Shërbimi postar i SHBA-së (USPS) ka paralajmëruar se me miliona votime me anë të postës mund të mos arrijnë me kohë për t’u numëruar në ditën e zgjedhjeve presidenciale më 3 nëntor.

Në letra të dërguara shteteve përgjatë SHBA-së muajin e kaluar, agjencia tha se “disa afate janë të pamundura të përmbushen nga standardet e Shërbimit Postar”.

Kritikët kanë akuzuar kreun e USPS, që është përkrahës besnik i Donald Trumpit, për ngadalësim të dërgesave, shkruan BBC.

Pritet që një numër rekord i njerëzve të votojnë me anë të postës për shkak të pandemisë.

Por, të enjten Trumpi tha se po ndalonte fondet shtesë për Shërbimin Postar si ndihmë për zgjedhjet, sepse ai e kundërshton këtë lloj votimin, transmeton KOHA.

Ai vazhdimisht ka thënë se votimet me postë do të çojnë deri tek mashtrimet e zgjedhjeve, dhe kështu do të jenë në favor të rivalit të tij demokrat, Joe Bideni. Ekspertët thonë se sistemi i votimit me postë, që përdoret edhe nga ushtria e këtij shteti dhe nga vetë Trump, është mënyrë e sigurt nga manipulimi.

Ish-presidenti Barack Obama ka kritikuar ashpër Trumpin, duke thënë se po përpiqet të ndikojë në zgjedhje, dhe duke thënë se administrata e tij më shumë brengoset me shtypjen e votës se sa me shtypjen e virusit.

Ndërkohë, thuhet se USPS-ja ka nisur heqjen e makinave të numërimit, shumica që do të përdoreshin për të procesuar votat gjatë zgjedhjes.