Shkencëtarët e qeverisë së SHBA-së kanë nisur përpjekjet e prodhimit të një tipi të koronavirusit i cili mund të përdoret në testimin e vaksinave, studim kontrovers ku vullnetarët e shëndetshëm do të vaksinohen e pastaj të infektohen qëllimisht me virusin, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Ky projekt është në fillim dhe nuk do të zëvendësojë testimet e Fazës III ku një numër i madh i të vaksinuarve pritet të infektohen vet, e pastaj të shihet efikasiteti i vaksinës.
Zyrtarët e SHBA-së kanë qenë nën presion nga grupet avokate si 1 Day Sooner të cilët i shohin testimet e ashtuquajtura sfiduese, të infektimit të qëllimshëm, si mënyrë për të përshpejtuar testimin e vaksinës kundër Covid-19. Shumica e testimeve të efikasitetit të vaksinës mbështeten në infektim të rastit, gjë që mund të marrë kohë të gjatë, transmeton KOHA.
Disa kompani farmaceutike, përfshirë AstraZeneca dhe Johnson & Johnson kanë thënë se po konsiderojnë edhe testimin sfidues, pra infektimin e qëllimshëm të të vaksinuarve për të testuar vaksinat e tyre kundër Covid-19, nëse është e nevojshme.
“Nëse do të ketë nevojë për testime sfiduese për të vlerësuar në tërësi vaksinat kandidate, Instituti Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive i SHBA-së ka nisur hulumtimet teknike dhe etike rreth infektimit të qëllimshëm të të vaksinuarve”, u tha në deklaratën e agjencisë.
Nëse aprovohet, do të bëhen studime të vogla në njësi të izoluara për të kontrolluar virusin. Këso studime bëhen kur zakonisht virusi nuk qarkullon gjerësisht, që nuk është rasti me Covid-19. Shumë shkencëtarë e konsiderojnë këtë metodë si jo etike sepse nuk ka “terapi shpëtuese” për ata të cilët eventualisht mund të sëmuren.