Botë

Amerika s’do të aprovojë vaksinën anti-Covid para nëntorit

Foto: Reuters / Arkiv

Asnjë vaksinë kundër COVID-19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të marrë dritën e gjelbër më herët se në nëntor ose dhjetor, marrë parasysh edhe kohën e nevojshme për një testim në shkallë të gjerë, ka thënë drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit, të enjten.

Francis Collins ka thënë se testimi i vaksinën në të paktën 10,000 njerëz do të mund të japë mjaftueshëm prova dhe efikasitet për ta qartësuar atë për përdorim të gjerë.

“Nuk pres të shoh, mbi bazat e asaj çfarë dimë shkencërisht, se do të jemi në atë pikë ku Administrata për Ushqim dhe Ilaçe mund të japë gjykim të tillë deri në fund të tetorit”, është shprehur ai për “Reuters”. “Ndoshta nëntori ose dhjetori do të ishin parashikimet e mia më të mira”.

Ai shtoi se është i sigurt se të paktën një nga gjashtë vaksinat, që janë duke u mbështetur në kuadër të një programi qeveritar në SHBA, do të jenë të sigurta dhe efektive, në fund të këtij viti.

Presidenti Donald Trump javën e kaluar ka thënë se është e mundshme që SHBA-ja të ketë vaksinën kundër koronavirusit para zgjedhjeve të nëntorit.

Collins pret që dozat e para të vaksinave, që do të jenë miliona të tilla të prodhuara në SHBA, do të jenë në gatishmëri të atyre në nevojë, si pacientët në rrezik të lartë dhe punonjësit e shëndetit.

Qeveria amerikane ka ndihmuar në financimin për zhvillimin e disa vaksinave dhe terapive përmes programit që i jep mundësi mjekësisë ta luftojë COVID-19.

Në anën tjetër, Rusia gjatë javës u bë vendi i parë që ia dha miratimin një vaksine kundër koronavirusit, ani pse ajo nuk ka kaluar nëpër faza të mjaftueshme të testimit. Pavarësisht dyshimeve për sigurinë dhe efikasitetin e saj, Rusia ka bërë të ditur se së shpejti do ta bëjë të qasshëm në treg vaksinën e saj.

SHBA-ja është vendi më i prekur nga koronavirusi në botë. Deri tash në këtë vend janë regjistruar si të infektuar 5.2 milionë persona. Kanë vdekur mbi 166 mijë persona.