Botë

Izraeli e Emiratet e Bashkuara Arabe arrijnë marrëveshje historike

Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë arritur marrëveshje historike paqësore, që do të shpjerë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve të Lindjes së Mesme. Ujdia është arritur me ndërmjetësimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Sipas marrëveshjes, Izraeli është pajtuar që ta pezullojë zbatimin e sovranitetit mbi rajonet e Bregut Perëndimor, të cilat ai po i diskutonte për aneksim, ka thënë një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.

Marrëveshja paqësore është arritur pas diskutimeve të gjata mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat u përshpejtuan gjatë kohëve të fundit, kanë thënë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.

Ujdia u finalizua përmes një telefonate të zhvilluar të enjten midis Trumpit, kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe sheikut, Mohammed Bin Zayed, princi i kurorës i Abu Dhabit.

“E arritur MADHORE historike sot! Marrëveshja Historike Paqësore mes dy miqve të MËDHENJ, Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”, ka shkruar Trump në Twitter.

Zyrtarët e përshkruan marrëveshjen, e njohur si Marrëveshjet Abraham, si të parën e këtij lloji qëkur Izraeli dhe Jordani nënshkruan traktatin e paqes më 1994. Kjo ujdi ia ofron po ashtu Trumpit një sukses të konsiderueshëm në sferën e politikave të Jashtme, për të cilën ai kishte aq shumë nevojë në prag të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se këshilltari i lartë i Trumpit, Jared Kushner, ambasadori amerikan në Izrael, David Friedman dhe i dërguari për Lindje të Mesme, Avi Berkowitz, kanë qenë të përfshirë drejtpërsëdrejti në negocimin e marrëveshjes, bashkë me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe këshilltarin e lartë të Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, Robert O’Brien.

Në një deklaratë të përbashkët të tri vendeve thuhet se liderët “janë pajtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”. “Ky moment historik diplomatik do ta avancojë paqen në Emiratet e Bashkuara dhe në Izrael, për ta hapur një shteg të ri që do ta hapte një potencial të madh në rajon”, thuhet në këtë deklaratë.

Delegacione nga Izraeli dhe Emiratet do të takohen gjatë javëve në vijim për nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale që përfshijnë investimet, turizmin, fluturimet direkte, sigurinë, telekomunikacionin dhe çështjet e tjera. Dy vendet pritet që së shpejti edhe të shkëmbejnë ambasadorë dhe do të hapin ambasada.

Deklarata bën të ditur se “si rezultat i kësaj të arriture diplomatike dhe në kërkesë të presidentit Trump, me mbështetjen e Emirateve, Izraeli do ta pezullojë shpalljen e sovranitetit” mbi rajonet e Bregut Perëndimor që janë përfshirë në planin paqësor amerikan të shpallur nga Trumpi në janar.

“Izraeli brenda një të ardhmeje të parashikueshme do të përqendrohet në ndërtimin e këtyre marrëdhënieve dhe do t’i ushtrojë të gjitha avantazhet që mund t’i ofrohen prej kësaj marrëdhënieje të re me vendin, dhe ne besojmë se kjo gjë e thyen akullin për sa i përket normalizimeve dhe marrëveshjeve të mëtutjeshme paqësore edhe me akterë të tjerë rajonalë”, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Marrëveshja parasheh që myslimanëve t’u jepet qasje më e madhe në xhaminë Al-Aqsa në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, duke i lejuar ata që të fluturojnë nga Abu Dhabi në Tel Aviv. Deklarata e përbashkët potencon po ashtu se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli do ta zgjerojnë dhe përshpejtojnë menjëherë bashkëpunimin për sa i përket trajtimit dhe zhvillimit të një vaksine kundër koronavirusit pandemik.