Botë

Siguria e teknologjisë në fokus të takimeve të Pompeos në Slloveni

Energjia bërthamore dhe siguria e rrjetit 5G janë temat kryesore të diskutimeve që Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo do të realizojë me autoritetet e Sllovenisë.

Ky vend është ndalesa e tij e dytë në kuadër të turneut në katër shtete të Evropës Qendrore.

Pompeo do të takohet me kryeministrin Janez Jansha, në qytetin Bled të Sllovenisë ku do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët për bashkëpunimin në sigurinë e rrjetit 5G.

Kështu, Sllovenia do të bashkohet me platformën e SHBA-së kundër ndikimit në rritje të Kinës në teknologjinë e informacionit, veçanërisht epërsinë e gjigantit të teknologjisë kineze Huawei në ofrimin e rrjetit 5G.

Zyrtarët e SHBA-së thonë se Kina po e përdorë kompaninë Huawei për të ndërtuar një rrjet që mund të spiunojë vendet e tjera. Pekini i ka mohuar akuzat.

Pompeo gjithashtu pritet të diskutojë mundësinë e përfshirjes së SHBA në ndërtimin e një gjeneratori të ri në termocentralin bërthamor në Krsko të Sllovenisë lindore.

Sllovenia ka qenë ish-republikë jugosllave.

Ky vend iu bashkua NATO-s dhe Bashkimit Evropian më 2004.

Pompeo, i cili mbërriti nga Republika e Çekisë, do të fluturojë për në Austri më vonë gjatë ditës, përpara se të përfundojë turneun e tij në Poloni/REL.