Botë

Zyrtarët amerikanë dyshojnë në vaksinën ruse për COVID-19

Dy zyrtarë të lartë amerikanë të shëndetësisë kanë shprehur skepticizëm në lidhje me pretendimin e presidentit Vladimir Putin se shkencëtarët rusë kanë zbuluar vaksinën e parë të sigurt dhe efektive në botë për koronavirusin.

"Seriozisht dyshoj se e kanë arritur këtë", tha eksperti i sëmundjes infektive Dr. Anthony Fauci. Por ai shtoi se shpreson që Moska me të vërtetë "ka vërtetuar përfundimisht se vaksina është e sigurt dhe e efektshme".

Fauci tha se një numër laboratorësh në Shtetet e Bashkuara po punojnë për një vaksinë dhe nëse do të donin, mund të fillonin shpërndarjen e tyre në çdo kohë.

"Nëse ne do të donim të shfrytëzonim rastin për të lënduar shumë njerëz ose për t'u dhënë atyre diçka që nuk funksionon, mund të fillonim ta bënim këtë, qysh javën tjetër nëse do të donim. Por kjo nuk është mënyra se si veprohet", tha Fauci në një deklaratë që do të transmetohet sot nga grupi mediatik "National Geographic".

Fauci ka thënë se shpreson që Shtetet e Bashkuara të kenë miliona doza të një vaksine kundër COVID-19 gati në fillim të vitit 2021, por ka paralajmëruar se nuk ka asnjë mënyrë për të garantuar efektivitetin afatgjatë të një vaksine.

Dyshime mbi vaksinën ruse kane shprehur edhe ekspertët gjermanë.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore Alex Azar tha gjatë një vizite në Tajvan të mërkurën se zhvillimi i një vaksine për COVID-19 nuk është "një garë për të qenë i pari".

Ai tha se administrata Trump po punon me industrinë farmaceutike amerikane për "të ofruar sa më shpejt që të jetë e mundur për të mirën e qytetarëve amerikanë, por edhe për njerëzit në botë, vaksina të sigurta dhe efektive".

Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave duhet të miratojë çdo vaksinë, përpara se ajo të shpërndahet tek mjekët dhe profesionistët e tjerë të kujdesit shëndetësor.

Të mërkurën Kina e quajti punën e bërë nga Azar në trajtimin e COVID-19 në ShBA "si më të keqen në botë" dhe tha se udhëtimi i tij në Tajvan ishte një taktikë politike.

"Ai injoroi miliona amerikanë që vuajnë nga virusi dhe shkoi në Tajvan për të bërë një spektakël politik", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Zhao Lijan. "Sjellja e tij dëshmon edhe një herë se në sytë e politikanëve amerikanë, jeta e njerëzve nuk do të thotë asgjë kur krahasohet me përfitimet e tyre egoiste politike".

Administrata Trump e ka akuzuar Kinën se u përpoq të fshihte shpërthimin e COVID-19 kur filloi në Wuhan në dhjetor dhe dështoi të kontrollonte sëmundjen - pretendime që Kina i mohon.

Sekretari Azar tha se në qoftë se shpërthimi i koronavirusit do të fillonte në Tajvan ose ShBA, ai mund të ishte "shuar lehtë". \ VOA