Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë se vaksina e miratuar ruse kundër Covid-19 nuk i është nënshtruar testimit të mjaftueshëm, duke shprehur dyshime në efikasitetin e saj.
Ai, për më tepër, ka shtuar se qëllimi është që bota ta ketë një produkt të sigurt e jo të zhvillohet një garë se kush e zhvillon vaksinën së pari.
Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë të ditur të martën se Rusia është bërë shteti i parë që miraton përdorimin e një vaksine kundër koronavirusit, vetëm dy muaj pas testimeve.
Vendimi i Moskës ka shkaktuar alarmimin e shumë ekspertëve.
Ministri gjerman ka thënë se vaksinimi i miliona njerëzve me këtë kurë ruse do të ishte i rrezikshëm.
Spahn ka shtuar po ashtu se do të ishte më i kënaqur sikur të ketë një vaksinë të mirë, të bazuar në të gjitha kërkimet e nevojshme.
Sipas tij, Rusia nuk është treguar e sinqertë sa u përket fazave të testimit.
Ministri gjerman i Shëndetësisë ka thënë se në betejën për gjetjen e vaksinës vendimtar është realizimi i studimeve të duhura dhe që rezultatet e tyre të publikohen me qëllim që njerëzit të shpresojnë në vaksinë.